Kosova i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të veprojë për heqjen e barrikadave të veri të Kosovës të vendosura nga serbët lokalë.

Por, kryeministri Albin Kurti shprehu pakënaqësinë duke thënë se koha e KFOR po mbaron dhe misioni nuk po vepron.

“Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Në përputhje me vlerësimet e sigurisë ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht kjo kohë po shteron me shpejtësi. Ne kemi bashkëpunim dhe bashkërendim me KFOR-in, prandaj edhe kjo dhe hapësira e nevojshme i është dhënë KFOR-it. Por një gjë duhet të kuptohet se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë dhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë“, tha Kurti.

Serbët lokalë ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Kosova ka thënë se ai dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë, ndërkaq Beogradi ka thënë se barrikadat do të hiqen kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Top Channel