Nuk plotësohen standartet/ GJK rrëzon kërkesën e PD-së për ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen “Becchetti”

27/12/2022 17:38

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen “Becchetti”, me arsyetimin se rasti nuk i plotësohen standardet kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor.

Fancesco Becchetti e paditi Shqipërinë në gjykatën e arbitrazhit në Strasburg, ku pretendonte se deklaratat publike të kryeministrit Edi Rama kanë shkelur prezumimin e tij të pafajësisë. Padia e ngritur nga Becchetti është depozituar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg me 21 tetor 2015 dhe i është komunikuar qeverisë shqiptare në 12 janar. Në po të njëjtën kohë, biznesmeni italian bëri dhe një tjetër padi kundër Shqipërisë për sekuestrimin sipas tij pa të drejtë të televizionit Agon Channel. Pas një kalvari të gjatë gjyqësor, gjykata i ka dhënë të drejtë Becchettit dhe dënuar Shqipërinë me faturën prej miliona eurosh.

NJOFTIMI I GJYKATES

Gjykata Kushtetuese, sot në datën 27.12.2022, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh çështjen me kërkues një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë (jo më pak se një e katërta e deputetëve), anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, me objekt: “ Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 80/2021 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e Arbitrazhit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.”.

Gjykata vlerësoi se:

– Ajo ka juridiksion për shqyrtimin e kësaj çështjeje, pasi vendimi nr. 9, datë 28.03.2022 i kësaj Gjykate nuk përbën gjë të gjykuar, për rrjedhojë as pengesë në aspektin kushtetues.

– Kërkuesi plotëson kriteret e legjitimimit, pasi kërkesa është paraqitur nga i njëjti subjekt që ka kërkuar edhe ngritjen e komisionit hetimor.

– Në lidhje me themelin e pretendimeve, Gjykata nuk arriti në përfundimin se në rastin konkret plotësohen standardet kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor.

Për sa më sipër, Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të neneve 77, 131, pika 1, shkronja “ç” të Kushtetutës, si dhe të neneve 54, 55, 56, 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel