Koreja e Veriut nis dronët në Seul! Jugu gati helikopterët sulmues

26/12/2022 14:08

Pesë dronë të Koresë së Veriut kaluan në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut të hënën, duke bërë që ushtria e këtyre të fundit të vendosë në gatishmëri avionë luftarakë dhe helikopterë sulmues.

Ministria e mbrojtjes tha se ushtria e Koresë së Jugut qëlloi në drejtim të dronëve, por ende nuk mund të konfirmonte nëse ndonjë dron ishte rrëzuar.

Lee Seung-oh, një zyrtar i mbrojtjes i Koresë së Jugut, tha se një nga dronët fluturoi mbi hapësirën ajrore të kryeqytetit Seul.

“Ky është një provokim i qartë dhe një pushtim i hapësirës sonë ajrore nga Koreja e Veriut”, tha Lee gjatë një konference. Në përgjigje të shkeljes së hapësirës ajrore, tha ai, ushtria e Koresë së Jugut dërgoi mjetet e saj të zbulimit me pilot dhe pa pilot në rajonin kufitar ndër-korean, me disa prej tyre duke kaluar në territorin e Koresë së Veriut.

Ushtria e Koresë së Jugut i pikasi për herë të parë dronët në qiell pranë qytetit veriperëndimor të Gimpo rreth orës 10:25 të mëngjesit me orën lokale të hënën, sipas ministrisë së mbrojtjes së vendit.

Hera e fundit që një dron i Koresë së Veriut u zbulua nën kufirin ndërkorean ishte në vitin 2017. Në atë kohë, Koreja e Jugut tha se kishte gjetur një dron të rrëzuar të Koresë së Veriut që po spiunonte një sistem raketor të ndërtuar nga SHBA në vend.Koreja e Veriut ka rritur në mënyrë agresive testet e saj raketore këtë vit, duke lëshuar shpesh armë të shumta në të njëjtën kohë. Ajo ka lëshuar raketa në 36 ditë të ndara – shifra më e lartë vjetore që kur Kim Jong Un mori pushtetin në vitin 2012.

Top Channel