Emigrantët financojnë Partinë LRE, kryetari nuk bën transparencë mbi fondet! Nuk dihet ku shkuan paratë

26/12/2022 20:45

Ish-anëtarët e Partisë Lëvizja e Re me kryetar Arian Galdinin u ankuan në emisionin Fiks Fare se kanë kontribuar për partinë dhe nuk dinë se ku kanë shkuar paratë e tyre, pasi në moment që kanë kërkuar transparencë ata janë përjashtuar  nga partia.

Disa prej personave që u ankuan në emisionin investigativ kanë qenë ish-kandidatë për deputetë të kësaj partie në disa qarqe të Shqipërisë, por që sot ankohen se kryetari nuk ka qenë transparent.

Aleks Marku është një prej atyre që ankohen , ai deklaron se i ka dorëzuar rreth 30 mijë paund Galdinit që të rregullojë zyrën përveç dërgesave fikse çdo muaj.

Ai thotë se nuk do që të mashtrohen dhe emigrantë të tjerë dhe t’i nisin para një mashtruesi që nuk përfaqëson asgjë.

Një tjetër ish-anëtar tregon për Fiksin se paguante bashkë me gruan çdo muaj kuotën, dhe kur kërkoi transparencë për këtë u përjashtuan të dy nga partia madje edhe duke u fyer nga kryetari.

Ata kërkojnë që Fiksi të ndjekë problemin e tyre, pasi disponojnë dhe një tjetër fakt për mashtrimet që kryetari u ka bërë, në një bisedë me nën kryetarin e partisë, kryetari Galdini kërkon të mos thuhet shifra reale se sa është qiraja mujore e zyrave, pasi në një grup për emigrantët e Anglisë është deklaruar 11 mijë euro, ndërkohë në bisedë me nënkryetarin thuhet se paguhet për zyrën 7 mijë euro.

Gazetarët e Fiksit u drejtuan në zyrat e kësaj partie dy herë. Herën e parë morën si përgjigje se kryetari nuk ndodhej aty dhe se do udhëtonte jashtë shtetit deri në 16 tetor.

Kështu gazetarët shkojnë përsëri në zyrë në 17 dhjetor, edhe në këtë datë gazetarët nuk u pritën. Ndaj në një telefonatë me Galdinin morën përgjigje se do përballeshin me proces gjyqësor nëse transmetohej rasti.

Përveç këtyre, Galdini nuk i përgjigjet Fiksit, por zgjedh të bëjë statuse në Facebook duke e cilësuar emisionin  Fiks Fare si Fiks Fare, si e si t’i dali përpara ‘të keqes’.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel