Katër ide të reja u prezantuan sot në “Startop”, projekt i Fondacionit Mediatik “Dritan Hoxha”, mbështetur nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Paneli këtë të shtunë përbëhet nga sipërmarrësit Shkëlzen Marku, Ana Petani, Rafaela Rrica dhe Ervin Prençe.

Projekti i parë që u prezantua ishte “Grow Eusair Popri Youth”, një agjenci zhvillimi lokal që ndihmon të rinjtë për të zhvilluar start up-e.

“Emri nuk është zgjedhja jonë, është brandim i organizatës tonë partnere në Slloveni,që ka brandin e këtij kompeticioni i zonës Eusair Adriatike-Joniane. edhe ky format ka për qëllim të zgjidhë pikërisht këto pika të strategjisë së Eusair. Unë jam me mendimin që duhet të krijohen disa pole të reja inovacioni, kryeqyteti ka rëndësinë vet edhe për shkak të numri të popullsisë, mundësive për punësim apo vetëpunësim dhe kjo shkon paralel me numrin e lehtësuesve, që sigurisht është më i lartë se në qarqet e tjera. Ne operojmë kryesisht në qarqe jugore”, tha përfaqësuesja Mirela Koçi në studio.

Projekti i dytë ishte website “mundësiplot.com”, i cili konsiston në zhvillimin e aftësive të punëkërkuese që duan të punësohen apo edhe të vetëpunësohen.

E ftuar në studio për të prezantuar projektin ishte Jearta Çaushi, e cila theksoi se platforma është që t’u vijë në ndihmë grupeve të margjinalizuara që të mund të zhvillojnë një aftësi të caktuar.

“T’u jepet mundësi grupeve të margjinalizuara që të mund të zhvillojnë një aftësi të caktuar. Edhe në takimet që kemi pasur gjatë fazës së pilotimit, bizneset dolën në përfundim që nuk duhen vetëm aftësitë profesionale apo eksperienca, por edhe disa aftësitë e buta. Kjo sjell një risi duke futur testet e vetëvlerësimit. Të gjithë punëkërkuesit që hyjnë në platformë të kryejnë një test të thjeshtë ku vlerëson njohuritë. Ofrohet këshillimi me një eksperiencë 10-vjeçare e të gjithë metodologjisë”, tha Çaushi.

Projekti i tretë që u prezantua ishte “Shkolla365”, një platformë që i vjen në ndihmë sistemit arsimor në vendin tonë.

I ftuar në studio, Orgito Baraj theksoi se shkollat në vendin tonë kanë një sistem të vjetëruar, duke marrë shembullin e regjistrave fizikë.

“Shkolla365 u vjen në ndihmë sistemeve arsimore që të menaxhojnë sistemin e tryezës së punës. Disa probleme janë përdorimi i regjistrave fizikë, një infrastrukturë e vjetër duke bërë një punë stresuese nga stafi arsimor, pikë tjetër është ndotja e mjedisit, harxhimi i letrës, janë 570 mijë studentë, nëse një do harxhonte një letër, i bie të jenë 30-60 mijë pako për t’ju dhënë studentëve. Ka një kosto të lartë por ndikon negativisht në mjedis, mos monitorimi i fëmijëve, duke mos ditur notat, mungesat, çfarë detyre shtëpie ka. Platforma ka regjistrin online, bibliotekën digjitale, i-learning për studentët”, tha Baraj.

Projekti i katërt dhe i fundit ishte platforma online “RiNovo Malësi e Madhe” për promovimin e zonës.

Redina Berçaj dhe Alfred Guraj theksuan se kjo platformë është mbështetur nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në bashkëpunim me bashkinë Malësia e Madhe.

“Kjo platformë është për zhvillimin e Malësisë së Madhe , për të nxitur të rinjtë drejt pjesëmarrjes dhe jemi në fazën e mentorimit dhe realizimit, Kemi të rinj që kanë krijuar planet e tyre të biznesit. Gjithashtu përfshihet web dhe aplikacion që mund të prenotosh një hotel, një bujtinë, me ble një produkt lokal, atraksione turistike, është më shumë se booking”, thanë ata.

Top Channel