Shkencëtarët zbulojnë sekretin se si ‘bretkosat e qelqit’ bëhen transparente

23/12/2022 20:58

Një bretkosë që bëhet transparente gjatë gjumit mund të përmbajë të dhëna për të kuptuar mpiksjen e gjakut tek njerëzit.

Shkencëtarët kanë ditur prej kohësh për ekzistencën e ‘bretkosës prej qelqi’, por nuk e kuptonin se si ajo bëhej transparente.

Tani kërkimet kanë zbuluar se ajo është në gjendje të grumbullojë gjak në trupin e saj pa u ndikuar negativisht nga mpiksjet. Shkenctarët zbuluan se krijesat grumbullojnë gjak në mëlçinë e tyre.

Bretkosa e qelqit i kalon ditët duke fjetur në gjethe të gjelbra. Për t’i shpëtuar vëmendjes së grabitqarëve, krijesa bëhet deri në 61% transparente, duke u maskuar në gjethe.

“Nëse i ktheni përmbys këto bretkosa, mund të shikoni zemrën e tyre duke rrahur. Ju mund të shihni përmes lëkurës dhe të shihni muskujt, pjesa më e madhe e zgavrës së trupit është vërtet transparente”, tha  Jesse Delia, një studiues në Muzeun e Historisë Natyrore për BBC.

Deri në 89% të qelizave të gjakut të kafshës grumbullohen së bashku, pothuajse duke dyfishuar madhësinë e mëlçisë dhe duke lejuar që bretkosa të bëhet transparente.

Natën, kur krijesa dëshiron të bëhet përsëri aktive për të gjuajtur ose çiftëzuar, ajo lëshon qelizat e kuqe të gjakut përsëri në qarkullim dhe mëlçia tkurret përsëri.

Bretkosa ka nivele të ndryshme të qelizave të kuqe të gjakut që qarkullojnë kur është në gjumë dhe kur është aktiv

Gjetjet mund të avancojnë kuptimin mjekësor të mpiksjes së rrezikshme të gjakut, një gjendje e zakonshme serioze.

Në shumicën e kafshëve, grumbullimi i gjakut së bashku çon në mpiksje, e cila mund të jetë kërcënuese për jetën, për shembull, duke çuar në sulme në zemër te njerëzit.

Hulumtimi është publikuar në revistën shkencore Science.

Top Channel