“Nuk dorëzohemi kurrë”/ Zelensky në SHBA: Jemi gjallë dhe po rezistojmë

22/12/2022 12:01

Ukraina është “gjallë dhe vazhdon të rezistojë” e nuk do të dorëzohet kurrë, kështu tha Presidenti Volodymyr Zelensky, para ligjvënësve amerikanë në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit që nga pushtimi rus.

Ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën nuk ishte bamirësi, por një investim në sigurinë për të ardhmen, tha Zelensky, të cilin Biden e quajti njeriun e vitit.

“Kjo betejë nuk mund të injorohet, me shpresën se oqeani apo diçka tjetër do të sigurojë mbrojtje. Secili prej jush zonja dhe zotërinj mund të ndihmojë në zbatimin për të siguruar që roli udhëheqës amerikan të mbetet solid, e të gëzojë mbështjeje dypartiake”, tha Zelensky.

Apeli i Zelenskyt vjen mes shenjave që mbështetja e SHBA-së ka të ngjarë të përballet me një shqyrtim më të madh nga ligjvënësit republikanë në Kongres. Por Biden u zotua të qëndrojë pranë Ukrainës “për aq kohë sa duhet”. Ai premtoi një paketë të re ndihme prej 2 miliardë dollarësh dhe premtoi 45 miliardë dollarë të tjera.

Zelensky, i veshur me xhupin dhe çizmet e tij jeshile, shprehu shpresën se Kongresi do të kalojë ndihmën shtesë. Fjalimi i tij u ndërpre 18 herë me duartrokitje nga pothuajse të gjithë anëtarët e Kongresit, me përjashtim të disa ligjvënësve republikanë. Duke folur në anglisht, ai parashikoi “një pikë kthese” në konflikt vitin e ardhshëm. Ndërsa për të ilustruar brutalitetin e luftës, Zelensky kujtoi trupat amerikane që luftonin kundër nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Taktika e rusëve është primitive. Ata djegin dhe shkatërrojnë gjithçka që shohin. Ata dërguan të dënuar në vijën e parë, në luftë.Ashtu si ushtarët e guximshëm amerikanë që luftuan kundër forcave të Hitlerit gjatë Krishtlindjeve të vitit 1944, ushtarët e guximshëm ukrainas po bëjnë të njëjtën gjë “, tha ai.

Në përfundim të fjalimit të tij, Zelensky i prezantoi Kongresit një flamur beteje të nënshkruar nga mbrojtësit e Bakhmut, një qytet i vijës së parë në lindje të Ukrainës që ai e vizitoi në prag të udhëtimit të tij në Uashington.

Top Channel