Rekomandimi për ndjekje penale, bie mbështetja për Donald Trump

21/12/2022 13:00

Përpjekjet për të frenuar një hov të ri presidencial të Donald Trumpit, nuk po rezultojnë të pasuksesshme, ato po prekin dhe pikën e fortë të ish presidentit të SHBA, mbështetjen e tij mes republikanëve.

Pas rekomandimit të komisionit të 6 janarit për ngritjen e akuzave ndaj tij,  ka pak shenja se Partia Republikane do i ofrojë Trumpit mbrojtje me të njëjtin intensitet dhe urgjencë si më parë, kur përballej me probleme të tjera ligjore.

Disa nga republikanët, të cilëve iu kërkua të flisnin së fundi për çështjen, ofruan mbrojtje të vakët, ose nuk folën fare. Partia Republikane reagoi shpejt dhe me forcë këtë verë pasi agjentët federalë konfiskuan dokumente sekrete nga prona e ish-presidentit në Florida.

Katër muaj më vonë, kjo ndjenjë e intensitetit dhe urgjencës mungon, duke u kthyer në shenjën e qartë se sa shpejt po ndryshon peisazhi politik për Trumpin që para një muaji shpalli kandidaturën e tij të tretë për Shtëpinë e Bardhë.

Komisioni i përbërë nga shtatë demokratë dhe dy republikanë bëri rekomandimin historik për rolin e ish-presidentit Donald Trump në sulmin e 6 janarit mbi Kapitolin. Kjo shënon përpjekjen e fundit të Kongresit për ta mbajtur ish-presidentin përgjegjës për sulmin nga qindra përkrahës të tij ndërsa brenda Kongresit punohej për të certifikuar fitoren e zgjedhjeve presidenciale nga Joe Biden në vitin 2020.

Top Channel