Komuniteti ndërkombëtar dënon vendimin e qeverisë talebane që ndalon vajzat afgane të ndjekin universitetin

21/12/2022 16:43

Studentet afgane iu drejtuan mëngjesin e sotëm kampeve universitare si çdo ditë tjetër, por ato u kthyen duke qarë, pasi forcat e sigurisë nuk i lejuan të hynin, në zbatim të urdhrit të qeverisë talebane që ndalon vajzat të ndjekin universitetin.

“Për urdhrin u vura në dijeni kur erdha sot në mëngjes në universitet. Kishte shume talebanë në hyrje të kampusit që kthenin pas studentet”, i tha mes lotësh Zërit të Amerikës një studente e cila nuk pranoi të identifikohej për arsye sigurie.

Një studente tjetër, e cila u identifikua si Fatima, i tha Zërit të Amerikës se sot kishte provimin e fundit në universitet, por nuk u lejua të hynte në godinë.

“Ishim të gjithë duke qarë, nuk pranuam të iknim, qëndruam për orë të tëra tek dyert dhe iu lutëm autoriteteve talebane të na linim të hynim në provim, por ishte e kotë”, tha studentja.

Komuniteti ndërkombëtar dënoi vendimin e qeverisë, që udhëzon universitetet publike dhe private të pezullojnë menjëherë pjesëmarrjen në studime të vajzave dhe grave, deri në një urdhër të dytë.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan pasoja për qeverinë e drejtuar nga talebanët.

“Talebanët nuk mund të presin të jenë anëtar legjitim të komunitetit ndërkombëtar nëse nuk respektojnë të drejtat e të gjithë shtetasve afganë”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Komuniteti ndërkombëtar, nuk e ka njohur ende zyrtarisht qeverinë e udhëhequr nga talebanët, ndaj të cilës janë vendosur sanksione të forta.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha se ishte “thellësisht i alarmuar” nga pezullimi i të drejtës për arsim universitar për vajzat afgane.

Qëkurse u kthyen në pushtet, 16 muaj më parë, talebanët kanë përjashtuar grate nga jeta publike pavarësisht premtimeve të përsëritura se do të respektonin të drejtat themelore të çdo shtetasi afgan. Ata kanë urdhëruar gratë të mbulojnë fytyrën në publik, të mos vizitojnë qendrat e shëndetit, të mos ndërmarrin udhëtime të gjata të pashoqëruara nga meshkujt, të mos shkojnë në parqe publike apo palestër.

Shumicës së grave që punonin në administratë u është thënë të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa vajzave që mbarojnë klasën e gjashtë u është ndaluar të ndjekin shkollën e mesme.

Top Channel