Në komisionin e veprimtarisë prodhuese përfaqësuesit e ministrisë së infrastrukturës kërkuan miratimin e një kredie shtesë për rrugën Qukës – Qafë Plloçë.

Kredia në vlerën e 49 milionë eurove do merret nga fondi saudit dhe është shtesë e fondit të mëparshëm prej 56.8 milionë eurove. Përfaqësuesit e ministrisë shpjeguan se rruga e projektuar që përpara 13 viteve pritet të përfundojë në 2025-ën duke shtyrë më tej afatin.

“Projekti filloi matjet në 2016-ën, në 2017-ën u negociua mes ARRRSH dhe Bankës Islamike, ndërsa në 2017-ën filluan punimet në terren. Në 2019-ën ka pasur një ndalesë prej dy vitesh, me kërkesë të supervizorit nga fondi saudit. Kjo kredi shtesë do shkojë për lotin e tretë, ndërsa kreditë e para kanë shkuar për lotin 1 dhe 2.“- u shpreh Zv.Minstrja e Infrastrukturës.

Për deputetët e opozitës zgjatja pafundësisht e rrugës është dështim i menaxhimit nga ministria e infrastrukturës

“49 milionë për një segment ku janë bërë vetëm 51% e punimeve. Është e patolerueshme në gjykimin tim. Ka shkuar deri më tani rreth 250 milionë, më shumë se gjysma e fondit fillestar, kostoja e rrugës 7 milionë euro km, standardet më të mira në botë janë 4 milionë për rrugët me standardet më të mira, është një gangrenë që po shkatërron buxhetin. Për të mos folur për element të tjerë që pas 13 vitesh paguajmë Akoma për konsulencë”– u shpreh Helidon Bushati.

 “Në këtë rrugë ka keqmenaxhim. Është përgjegjësi direkte e juaja për të gjetur fondet për rrugën. Ajo çfarë dëgjuam nga ju është vetëm se si Fondi Saudit ka penguar punimet, por ju nuk mbani asnjë përgjegjësi”,  u shpreh Lefter Gështenja.

 “Deputetët e opozitës duan të fshehin kokën si struci, sepse e dinë shumë mirë që rruga nisi me një projekt të gabuar në 2011-ën. Tani kjo rrugë kërkon fonde, për shkak të ndryshimeve të shpeshta dhe është punë që duhet mbaruar, do e çojmë deri në fund”,  u shpreh Arben Pëllumbi.

Ndërkohë, disa prej pyetjeve të deputetëve opozitarë mbetën pa përgjigje

“Ju lutem a mund të na thoni në mënyrë të përmbledhur pse prej dy vitesh nga 2019 e tutje kanë ndaluar punimet, cilat kanë qenë arsyet?” tha Luan Baçi

“Një pyetje e thjeshtë, meqenëse paska kaq shumë gabime në projektime, sa kompani janë penalizuar për gabimet që janë bërë?”- tha Helidon Bushati.

Në fund mazhoranca socialiste miratoi me votat e saj kredinë e re për rrugën, ndërsa projekti fillestar që përllogaritej në vlerën 126 milionë euro, tashmë me kreditë e reja ka arritur në 255 milionë euro për 43 kilometra.

Top Channel