Musk organizon pyetësor/ Përdoruesit e Twitter votojnë pro dorëheqjes së tij

19/12/2022 16:25

Përdoruesit e Twitter kanë votuar në favor të largimit të Elon Musk nga posti i shefit ekzekutiv të platformës.

Ky përfundim u arrit pas një pyetësori që vetë Musk organizoi për të mësuar më shumë mbi mendimin e përdoruesve të platformës së tij.

Një total prej 57.5% votuan “po” pasi Musk pyeti 122 milionë ndjekësit e tij nëse ai duhet të tërhiqej.

Musk, i cili bleu Twitter për 44 miliardë dollarë (36 miliardë paund), tha para mbylljes së sondazhit se ai do t’i përmbahej rezultatit.

Manjati i teknologjisë, i cili gjithashtu drejton Tesla dhe Space X, është përballur me shumë kritika që nga marrja në dorë e faqes.

Musk ende nuk ka komentuar që nga mbyllja e sondazhit. Edhe nëse ai do të jepte dorëheqjen si shef ekzekutiv, ai do të mbetej si pronar i Twitter.

Më shumë se 17.5 milionë përdorues votuan në sondazhin e tij të hënën, me 42.5% që votuan kundër largimit të Musk.

Në të kaluarën, Musk i është bindur sondazheve në Twitter. Atij i pëlqen të citojë frazën “vox populi, vox dei”, një frazë latine që përafërsisht do të thotë “zëri i popullit është zëri i Zotit”.

Top Channel