Kushi: Libra falas edhe për disa kategori të gjimnazit/ MASH kërkon 45 milionë lekë shtesë për të shpërblyer sportistët elitarë

19/12/2022 13:48

Nxënësit e arsimit bazë nga klasa e parë në klasën e nëntë dhe 16 kategori në arsimin e mesëm do të marrim librat falas në vitin e ri shkollor.

Tekstet ripërdoren deri në tre vite, por për klasën e parë, të dytë dhe të tretë do të përdoren vetëm një vit, tha ministrja e Arsimit Evis Kushi pas mbledhjes së qeverisë këtë të hënë:

Tekstet përdoren për tre vite. Pas tre vitesh blihen tekste të reja. Por ndërkohë ne në fund të çdo viti bëjmë analizën që ato tekste që janë të papërdorshme, të dëmtuara, të zëvendësohen edhe pas vitit të parë apo pas vitit të dytë.

Atëherë, ne sot në Këshillin e Ministrave për shkak të një kërkese të vazhdueshme që na ka ardhur nga prindërit, por edhe nga mësuesit, kemi vendosur që për nxënësit e klasave nga e para në të tretë, tekstet të ofrohen falas çdo vit. Pra nxënësit të mos kenë detyrimin që në fund të vitit shkollor t’i dorëzojnë tekstet për t’i përdorur nxënësit e tjerë. Kemi vendosur kështu sepse për nxënësit e klasave fillore, nga klasa e parë në të tretën, nga njëra anë janë shumë të vegjël dhe e kanë ende të vështirë që ta mirëmbajnë librin siç duhet dhe ky më pas të jetë i përdorshëm, por nga ana tjetër tekstet, programet janë të tilla që mbi tekste ka edhe shënime, ka edhe ushtrime ku nxënësit duhet të shkruajnë dhe më pas është e vështirë që t’i fshijnë dhe tekstet të përdoren nga nxënësit e tjerë”.

Më tej, Kushi njoftoi se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka kërkuar një buxhet shtesë prej 45 milionë lekësh për shpërblimin e sportistëve elitar:

“Këtë vit sportistët tanë elitarë kanë patur rezultate të shkëlqyera në raport me vitet e kaluara. Na kanë nderuar, na kanë bërë krenarë me medalje ari, argjendi, me rezultate shumë të mira në kampionate evropiane, madje dhe botërore. Madje ne kemi kampionë botërorë. Dhe këto rezultate tashmë i kanë tejkaluar edhe parashikimet tona dhe planifikimet tona buxhetore nga viti i kaluar. Kështu që për të përmbushur detyrimin tonë ligjor për t’i shpërblyer sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave këta sportistë, ne kishim nevojë për një shtesë fondi prej 45 milionë lekësh. Kështu që në këtë vendim, jo vetëm që u miratua kjo shtesë por janë të specifikuar edhe të gjithë sportistët elitarë së bashku dhe me trajnerët e tyre. Sepse e dimë tashmë që ne legjislacionin e kemi përafruar me BE-në. Ne vlerësojmë apo shpërblejmë jo vetëm sportistët që marrin medalje, por edhe trajnerët e tyre”.  

Top Channel