Numri dy i qeverisë angleze, Oliver Dowden insistoi se ekzekutivi i vendit të tij “po ndërmerr veprime” për deportimin e emigrantëve të paligjshëm.

Në fillim të këtij muaji, u mësua se në përpjekje për frenuar mbërritjet e klandestinëve me anije të vogla, Downing Street nuk ka përjashtuar mundësin që atyre t’u ndalohet menjëherë stabilizimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, e njohur si numri 10, selia e qeveria angleze kishte refuzuar të diskutonte mbi politikat e ardhshme të emigracionit kur iu paraqit një sërë propozimesh nga Qendra për Studime Politike për të ulur numrin e njerëzve që kryejnë udhëtimin e rrezikshëm përmes La Manshit. Në një raport të ri, që ka për bashkautor ish këshilltarin e Theresa May-it, Nick Timothy, ky institut i qendrës së djathtë theksonte se asnjë migrant që arrin në Britaninë e Madhe ilegalisht nuk duhet të lejuar të vendoset atje që në fillim.

Raporti, me një parathënie nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman, rekomandonte gjithashtu legjislacionin që e bën të pamundur  kërkesën për azil në Angli nga persona, të cilët nisen drejt saj prej një vendi të sigurt. Numri më i madh i emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë këtë vit në Mbretërinë e Bashkuar, janë nga Shqipëria.

“Marrëveshja historike që kryeministri Rishia Sunak arriti me homologun e tij shqiptar, nënkupton se tanimë, ka një njohje se Shqipëria është në thelb një vend i sigurt”, tha Dowden. “Kjo gjë duhet ta bëjë shumë më të lehtë për ne që të fillojmë sërish deportimin e shqiptarëve në masë të madhe, ç’ka do të na ndihmojë ta mbajmë numrin e tyre nën kontroll”, shtoi ai.

Të dhënat zyrtare mbi emigracionin të qeverisë angleze tregojnë se në periudhën janar – shtator 2022, në Britani kanë kërkuar azil 13.272 shtetas shqiptarë.

Top Channel