Kriza ekonomike globale nuk po boshatis vetëm xhepat tanë.

Ekspertët thonë, se ajo ka një ndikim shumë të fortë negativ edhe në shëndetin tonë mendor.

“Problemi ekonomik është ndër më kryesorët. Në momentin që ti nuk ke mundësi që të bësh ditën tënde, të plotësosh nevojat e tua bazike dhe flasim për ato më themeloret, jo për kërkesa luksi apo gjëra, që njeriu mund të bëjë edhe pa to. Flasim për ushqiminim, për shkollimin, për nevojat shëndetësore. Mospërmbushja e tyre shkakton ankth, stres, depresion, shkaktojnë dëmtime të marrëdhënieve sociale të individit. Dhe të mos harrojmë që shqetësimet psikologjike shkaktojnë edhe probleme fiziologjike tek individi, që mund të përkthehen edhe në sëmundje.

Kemi personat që vuajnë problem të zemrës që shtohen nga viti në vit, kjo referuar daljeve publike të ekspertëve të kardiologjisë. Problem tjetër është edhe shtimi I sëmundjeve tumorale. Pra është si një rreth vicioz. Kemi inflacionin, inflacioni shkakton stres, stresi shkakton pasiguri, ankth dhe depresion. Depresioni mund të na çojë në një problematikë shëndetësore. Një nga këshillat që japim vazhdimisht është që të drejtohen tek specialisti, sapo shfaqin një ngarkesë emocionale.

Ajo që do të rekomandoja edhe në cilësinë e presidentes së Urdhrit të Psikologut të Shqipërisë është që duhet të shtohen nga instancat shtetërore shërbimet të cilat ofrohen pa pagesë për qytetarët, sepse është e pamundur që qytetarët në këtë vështirësi ekonomike, të mund të përballojnë shpenzimet për konsultat private tek psikologu”, tha Valbona Treska-Psikologe, Urdhri i Psikologut.

Top Channel