Zëvëndësimi i gazit rus, Gjermania parashikon mbikapacitet në terminalet e gazit LNG

16/12/2022 09:05

Gjermania po krijon mundësi të reja importi për të zëvendësuar gazin rus.

Por sipas informacioneve pritet që kapacitetet të jenë më të mëdha se nevoja.
Me gaz natyror të lëngshëm (LNG), qeveria gjermane dëshiron të sigurojë furnizimin me gaz të Gjermanisë – sa më shpejt që të jetë e mundur. Që këtë vit, tre terminale LNG do të lidhen me rrjetin në bregdetin gjerman dhe tetë të tjerë pritet të pasojnë
Ministria gjermane e Ekonomisë me sa duket pret një mbikapacitet të konsiderueshëm për terminalet e planifikuara të gazit të lëngshëm, të njohura si terminale LNG. Shërbimi i medias digjitale “Table Media” shkruan se kapaciteti i të gjitha terminaleve lundruese dhe tokësore mund të kapërcejë sasitë e gazit të importuar nga Rusia në vitin 2021.
“Table Media” i referohet një raporti të Ministrisë së Ekonomisë. Sipas këtij raporti, janë planifikuar dhjetë terminale lundrues në Detin e Veriut dhe në Detin Baltik, gjashtë prej të cilëve me pjesëmarrjen e shtetit.

Sipas këtij dokumenti, vetëm këta terminale lundrues do të kishin një kapacitet prej 53 deri në 67 miliardë metra kub gaz në vit nga viti 2024. Përveç kësaj,deri në vitin 2026 duhet të ndërtohen tre terminale në tokë, me një kapacitet deri në 50 miliardë kub metra gaz. Tre terminalet fikse LNG do të ngrihen në Wilhelmshaven, Brunsbüttel dhe Stade. Vitin e kaluar, nga ana tjetër, nga Rusia në Gjermani u importuan me tubacion vetëm 54 miliardë metra kub gaz./DW

Top Channel