Dhjetë persona, përfshirë pesë fëmijë, kanë humbur jetën pasi një zjarr përfshiu një pallat pranë Lionit në Francë.

Ndërkohë 4 të tjerë janë në gjendje kritike dhe 10 të tjerë raportuan lëndime të lehta, duke përfshirë dy zjarrfikës.

Zjarri u fik vetëm pas angazhimit nga 170 zjarrfikës.

Ministri i Brendshëm, Gerard Darmanin, tha se shkaku i zjarrit nuk dihet ende dhe vlerësoi punën e zjarrfikësve që shpëtuan njerëzit në “kushte jashtëzakonisht të vështira”.

Ai shtoi se fëmijët që vdiqën ishin të gjithë të moshës nga tre deri në 15 vjeç.

Një banor i zonës tha për gazetën Le Progres de Lyon: “Më zgjuan nga britmat… Ne donim të ndihmonim njerëzit, por kishte shumë tym. Pashë një grua të vdekur…ishte dramatike.”

“I thashë fëmijës tim të mos shkojë në shkollë, ai është i tronditur. E traumatizoi të dëgjuarit britma të tilla, ulërima tmerri. Këmbët po më dridhen”, tha një tjetër.

Blloku i banesave ku shpërtheu zjarri është pjesë e një projekti banimi në periferi të Lionit. Flakët duket se kanë nisur në katin përdhes përpara se të përhapeshin lart.

Top Channel