Viktimat mund të jenë tetë, kërkohet dorëheqja e Braverman pas tragjedisë në kanal

15/12/2022 13:28

Katër persona rezultojnë ende të zhdukur pas përmbysjes së varkës më gati 50 emigrantë në ujërat midis Francës dhe Britanisë një ditë më parë.

Autoritet thonë se tashmë nuk po kërkojnë më për të mbijetuar, kështu që edhe pse jo zyrtarisht viktimat nga ngjara e rëndë mendohet se janë 8, ndërkohë që 43 të tjerë mundën të shpëtoheshin nga varka e vogël që po mbytej në ujërat e akullta të La Manshit.

Deri në këto momente nuk dihet ende kombësia e emigrantëve të shpëtuar apo atyre që humbën jetën, por një ditë më parë Fatbardha Çelaj tha për Top Channel, se në spitalin e Kentbyry ku ajo punon si përkthyese mes të shpëtuarve ishte dhe një djalë nga veriu i Shqipërisë , të cilin e identifikoi me emrin Denis. Sipas saj gjendja e tij është e mirë.

Ndërkohë ngjarja ka tronditur edhe njëherë qeverinë britanike, vetëm një ditë pasi Rishi Sunak shpalli planin e tij me 5 pika kundër emigrantëve.

Një sindikatë i ka bërë thirrje sekretares së brendshme Suella Braverman që të japë dorëheqjen pas tragjedisë së rëndë.

“Suella Braverman thotë se mendimet e saj të përzemërta janë me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë tragjedi. Por këto fjalë tingëllojnë krejtësisht të zbrazëta kur ajo e ka kaluar kohën duke fyer dhe demonizuar pikërisht njerëzit me të cilët tani shtiret sikur ka simpati. Ajo duhet të japë dorëheqjen me turp”.

Braverman i tha dje deputëve britanikë se plani i ri do të shkatërrojë bandat kriminale, që menaxhojnë kalimin në kanal.

Top Channel