Fuqizimi ekonomik i grave, Veliaj: Të sigurohemi që ofrojmë shanse të barabarta për të gjithë, në drejtimin e Tiranës ka më shumë gra

15/12/2022 12:47

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i bëri thirrje të gjithë aktorëve në shoqëri se është koha për të ushtruar një presion të shëndetshëm për fuqizimin ekonomik të grave dhe barazisë gjinore.

Në fjalën që mbajti sot, në aktivitetin “Fuqizimi ekonomik i grave dhe perspektivave gjinore”, kryebashkiaku e vuri theksin te nevoja për një vëmendje të shtuar për ofrimin e shanseve të barabarta për të gjithë.

“Nëse një grua kërkon kredi për të njëjtin produkt, ose për të njëjtin biznes, me të njëjtin plan, si një burrë, probabiliteti është që një burrë financohet më shpejt se një grua, se ‘është burrë i besës, e mban fjalën’. Pra, ka lidhje me folklorizmin, pa asnjë lidhje me plan biznesin. Krejt papritur, për të njëjtën ide biznesi, një burrë e merr kredinë, kurse një grua jo. Në gjykatë, nëse për të njëjtën çështje, fjala vjen pronë, kontratë e pa likujduar, shkon një sipërmarrëse grua, cili është probabiliteti që për të njëjtin rast të jepet e njëjta drejtësi edhe për një burrë, edhe për një grua? Më rezulton që një burrë e ka më kollaj të marrë drejtësi sepse e ka shok atë gjyqtarin, se do pinë një kafe, ndërkohë që një grua, e cila nuk ka kohë të rrijë në kafe se është gjithë ditën duke bërë punë, duke u kujdesur për familjen, por edhe për biznesin, e ka probabilitetin më të vogël që të marri drejtësi për të njëjtin rast. Prandaj, unë besoj se përtej historive të suksesit, kemi nevojë për të bërë një ekzaminim dhe do të doja shumë që nga këto aktivitete, të dilnim me disa tema që duhet t’i ndjekim, të shohim se si funksionon sistemi financiar, nëse i diskriminon apo jo gratë? Si funksionon sistemi i drejtësisë? Të sigurohemi që secili të ushtrojë një ‘presion’ të shëndetshëm”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një vëmendje të veçantë ofrimit të shanseve të barabarta për të gjithë.

“Ne e themi në shqip, barazi. Por, nuk është e njëjta gjë. Është tjetër gjë barazia dhe tjetër gjë të kesh shanse dhe mundësi të barabarta. Se këtu barazi kemi të gjithë. Ky qytet, fatmirësisht është grua, sepse jo vetëm se kemi më shumë nënkryetare bashkie, janë 70% janë gra, por për herë të parë kemi vendosur një barazi kur vjen puna te Këshilli Bashkiak, ku me ligj është 50 me 50, por lista jo 50% e grave në fund, por 1 me 1, dhe fillon me një grua, që edhe nëse një parti e vogël zgjedh vetëm një kandidat, do të jetë grua”, deklaroi ai.

Veliaj falënderoi dhe partnerët të cilët kanë mbështetur këtë aleancë.

“E vlerësoj shumë! Unë e shoh vërtet këtë si një festë dhe një besëlidhje të duarve që lidhen bashkë për të prodhuar mjaltë në një koshere të përbashkët, që është Bashkia e Tiranës dhe qyteti ynë. Më vjen mirë që Bashkia e Tiranës është pjesë e kësaj feste dhe e kësaj lidhjeje duarsh, edhe jam shumë i lumtur që ambasada amerikane, Yuri dhe gjithë kolegët e saj, Anxhelina, janë këtu, për të siguruar që kjo koshere ka financimin e nevojshëm që ky prodhim mjalti të lulëzojë”, tha kryebashkiaku.

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, theksoi se forca e grave qëndron në unitet dhe jo në ndarje. Duke i shprehur mbështetjen e SHBA-së, Kim theksoi se janë gratë ato që vendosin se ku duan të jenë dhe janë ato që vendosin për jetën e tyre.

“Forca jonë si gra qëndron në unitetin tonë dhe jo në ndarje. Jam shumë krenare që SHBA mbështet përpjekjet e grave se çfarë duan të jenë në fund të ditës dhe ku duan të jenë. Ne do t’ju ofrojmë mjetet sepse në fund bëhet fjalë për jetën tuaj dhe ju vendosni se çfarë doni të jeni dhe ku doni të shkoni”, nënvizoi ambasadorja Kim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA