Samiti SHBA-Afrikë/ Biden: SHBA-ja premton miliarda dollarë për Afrikën

15/12/2022 12:52

Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar miliarda dollarë financime të reja për Afrikën në një samit të dhjetëra krerëve të shteteve të kontinentit.

“Shtetet e Bashkuara janë tërësisht të përfshira në të ardhmen e Afrikës”, u tha Presidenti Biden 49 udhëheqësve afrikanë që merrnin pjesë në samitin e Uashington DC.

Është mbledhja e parë e tillë e organizuar nga Uashingtoni për tetë vjet. Samiti shihet si një përpjekje e SHBA-së për të ripohuar ndikimin e saj në Afrikë dhe për të kundërshtuar përfshirjen kineze.

Kjo vjen gjithashtu pas mandatit katërvjeçar të Donald Trump në detyrë, gjatë së cilës ai tjetërsoi shumë liderë afrikanë me vendime politike dhe komente fyese .

“Kur Afrika ka sukses, Shtetet e Bashkuara kanë sukses. Sinqerisht, e gjithë bota gjithashtu ka sukses”, tha Biden duke folur me optimizëm për përmirësimin e lidhjeve me Afrikën.

Ai tha se krizat me të cilat përballet bota sot kanë nevojë për udhëheqje, ide dhe inovacione afrikane dhe premtoi se do të ndërtojë investimet jetike në Afrikë të bëra nga administratat e mëparshme amerikane.

Biden premtoi gjithashtu 55 miliardë dollarë të financimit të SHBA-së të planifikuar për Afrikën gjatë tre viteve të ardhshme. Shuma përfshin 100 milion dollarë për projektet e energjisë së pastër dhe 350 milion dollarë për aksesin në internet dhe teknologjinë dixhitale.

SHBA do të nënshkruajë gjithashtu një memorandum me Zonën e Tregtisë së Lirë Kontinentale Afrikane, një nga zonat më të mëdha të tregtisë së lirë në botë , për të cilën Biden tha se do të zhbllokojë mundësi të reja për tregti dhe investime midis SHBA-së dhe Afrikës.

Para përfundimit të samitit të enjten, presidenti amerikan pritet gjithashtu të mbështesë pranimin e Bashkimit Afrikan si një anëtar i përhershëm i Grupit të 20 ekonomive kryesore.

Top Channel