“Si film i Luftës së II Botërore”, kapiteni tregon tmerrin e varkës së përmbysur

14/12/2022 20:53

“Isha duke fjetur, më zgjuan thirrjet e dëshpëruara të njerëzve për ndihmë”. Kapiteni i një peshkarexhe ka rrëfyer momentin tronditës kur e gjeti anijen e tij të rrethuar nga emigrantët e përfunduar në ujërat e akullta të La Manshit pas përmbysjes së mjetit me të cilin po udhëtonin drejt Anglisë.

Peshkatari, i identifikuar vetëm si Raymond në mediat britanike, tregoi se kishte numëruar deri në 45 persona pranë varkës së tij në ujërat e ftohtë dhe të rrëmbyer. “Një djalë po varej tek litarët”, u shpreh Raymond në një intervistë për Sky News.

“Në fillim mendova se ishte vetëm ai, dhe sapo mora pajisjet e peshkimit – gjë që zgjati rreth tre minuta – ndalova peshkarexhën dhe vrapova jashtë; aty pashë që ishin dhe pesë të tjerë që vareshin në njërën anë të varkës sime”, u shpreh ai, duke shtuar se personat që shpëtoi ishin nga Afganistani, Iraku, Senegali dhe India, dhe ata i thanë se i kishin paguar secili nga 5,000 £ për një kontrabandist në Francë për kalimin në Angli.

Një operacion madhor shpëtimi u ndërmor fill pasi u mësua se anija e vogël me të cilën po udhëtonin emigrantët, kishte hasur në vështirësi në Kanalin e La Manshit, pranë Kentit. Katër person humbën jetën ndërsa 43 të tjerë u shpëtuan pasi drejt vendngjarjes nxituan si rojet bregdetare të Mbretërisë së Bashkuar, ashtu edhe Marina Franceze, ndërsa ekipet e shpëtimit patën asistence edhe nga ajri.

“Ishte si film i Luftës së Dytë Botërore, kudo në ujë kishte njerëz që bërtisnin”, tha kapiteni. Ministrja e brendshme britanike, Suella Braverman e përdori rastin si argument në mbështetje të luftës kundër emigracionit të paligjshëm.

“U druhemi ditëve si këto. Kalimi i La Manshit me anije të pasigurta është një përpjekje vdekjeprurëse. Dhe është një arsye përse po mundohemi të shkatërrojmë këtë model biznesi të kontrabandistëve”, tha Suella Braverman.

Kërkimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, por ekipet e shpëtimit nuk po kërkojnë më të mbijetuar, duke pasur parasysh temperaturën e ulët të ujit në La Mansh.

Top Channel