Satirikja “Charlie Hebdo” ironizon rëndë eurodeputeten që u korruptua nga Katari

14/12/2022 19:51

Revista franceze ka ironizuar rëndë korrupsionin e eurodeputetes Eva Kaili nga Katari, ndër të cilën bëhen krahasime midis palëve.

“Charlie Hebdo” në karikaturë ka vendosur një sheik i cili në prehër mban dy gra të ndryshme, për të cilat janë specifikuar se kush janë.

Në njërën anë revista shkruan “me prostitutë…” dhe në anën tjetër që qëndron gruaja e veshur me kostum poshtë shkruhet “…me deputete”.

Në krye të gjithë karikaturës është shkruajtur: I lumtur si Katari në Europë!

Të treja palët janë të qeshur, ndërsa gratë kanë para në pjesë të ndryshme të trupit.

Skandali i korrupsionit në Parlamentin Europian me financime nga Katari dhe përfshirja e nënpresidentes Eva Kaili, së cilës iu pezulluan kompetencat, kanë shkaktuar një “stuhi” reagimesh në Bruksel, Romë dhe Athinë.

Korrupsion në zemër të Parlamentit Europian, arrestimi i eurodeputetes greke Eva Kaili bëri menjëherë bujë në mbarë botën, e pavarësisht se ajo mohon çdo gabim, përmasat e skandalit mund të jenë më të mëdha nga sa duket, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Detaje të reja janë zbardhur së fundi nga mediat e huaja, të cilat shkruajnë se vendi i Gjirit Persik që dërgonte çantat me para në mënyrë që të paraqitej në një dritë sa më të mirë në Parlamentin Europian, ishte Katari.

Le Soirt bën lidhje mes kësaj afere dhe Kupës së Botës 2022. Kaili, e cila është një nga nënkryetaret e Parlamentit Europian, udhëtoi në Katar në fillim të nëntorit dhe më pas duke folur në Parlamentin Europian e kishte cilësuar këtë vend si “pionier” në çështjen e marrëdhënieve të punës, duke shkaktuar reagime të ndryshme. Kupën e botës ajo e përshkroi si “provën se diplomacia sportive mund të arrijë transformimin historik të një vendi “, e madje dhe akuzoi disa eurodeputetë se po diskriminonin Katarin.

Komentet e saj erdhën në kohën kur ekzistonin shqetësime të thella ndërkombëtare lidhur me kushtet e punëtorëve në stadium dhe raporteve për një numër të madh vdekjesh. Shteti i Gjirit ka qenë subjekt i polemikave së fundmi si mikpritës i Kupës së Botës 2022 në vazhdim, gjatë së cilës është kritikuar për politikat e tij regresive ndaj të drejtave LGBTQ+ dhe punëtorëve migrantë. “Për disa muaj, hetuesit nga Policia Gjyqësore Federale dyshojnë se një vend i Gjirit ka ndikuar në vendimet ekonomike dhe politike të Parlamentit Evropian (PE)”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.

Katari akuzohet se ka vënë në shënjestër zyrtarë “me një pozicion të rëndësishëm politik dhe/ose strategjik” në Parlament, duke u dërguar atyre “sasi të konsiderueshme parash” dhe “dhurata të rëndësishme”. Sipas Knack, hetuesit belgë po shqyrtojnë nëse Katari ka kërkuar të ndikojë në pozicionet në Parlament në mënyra që “kalojnë përtej lobimit klasik”. Policia sekuestroi “rreth 600,000 euro para të gatshme”, celularë dhe pajisje kompjuterike në bastisje.

Top Channel