Me 15 vite burg u dënua iraniani Bijan Pooladrag, i arrestuar në Shqipëri për terrorizëm.

Vendimi u dha sot nga GJKKO, por për shkak të gjykimit të shkurtuar Pooladrag i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vjet burgim.

“Vuajtja e dënimit për të pandehurin Bijan Pooladrag të fillojë nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj tij.”- thuhet në vendimin e trupit gjykues të GJKKO.

Procedimi penal ndaj tij nisi prej vitit 2019, ndërsa SPAK dërgoi dosjen në GJykatë duke ngritur ndaj tij disa akuza për vepra penale si: “Vepra me qëllime Terroriste”, “Organizata Terroriste”, “Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj” dhe “Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj”.

Pooladrag u akuzua nga SPAK si pjesë e një celule terroriste që synonte të sulmonte zyrtarë të lartë të opozitës iraniane, që jetojnë në Ashraf 3.

Njoftimi i gjykatës:

U zhvillua seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Bijan Pooladrag akuzuar për veprat penale parashikuar nga nenet: 230/ç; 234/a/2; 239/a paragrafi i pare; 293/b paragrafi i parë dhe 293/ç të Kodit Penal.

· Gjykata vendosi : Deklarimin fajtor të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur’’, parashikuar nga neni 230/ç të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

· Deklarimin fajtor të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Organizata Terroriste’’, parashikuar nga neni 234/a, paragrafi i dytë të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.

· Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/a, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.

· Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/b, paragrafi i parë të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.

· Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, parashikuar nga neni 293/c, paragrafi i parë të Kodit Penal pasi fakti penal nuk ekziston.

· Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Bijan Pooladrag për veprën penale “Keqpërdorimi i pajisjeve”, parashikuar nga neni 293/ç të Kodit Penal, pasi fakti penal nuk ekziston.

· Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, caktimin e një dënimi të vetëm për të pandehurin Bijan Pooladrag, atë me 15 (pesembëdhjetë) vjet burgim.

· Ne aplikim te nenit 406 të K.Pr.Penale, të pandehurit Bijan Pooladrag i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 10 (dhjetë) vjet burgim.

· Vuajtja e dënimit për të pandehurin Bijan Pooladrag të fillojë nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj tij.

Top Channel