Plani 5 pikësh i Rishi Sunak, edhe për emigrantët shqiptarë

13/12/2022 19:13

Duke folur në parlamentin britanik, kryeministri Rishi Sunak ka njoftuar një plan prej 5 pikash për të luftuar emigracionin ilegal drejt Britanisë si dhe ka njoftuar masat për rikthimin e emigrantëve të ardhur me gomone përmes La Manshit gjatë këtij viti, ç’ka sipas tij do të pakësojnë numrin e dosjeve të pashqyrtuara të emigrantëve nga çdo vend i botës, që momentalisht janë në shifrën e 143 mijë vetëve, ku shqiptarët e ardhur këtë vit me gomone janë rreth 13 mijë vete. 

Sipas Rishi Sunak, “kupa u mbush”. Në bazë të këtij këtij plani, autoritetet britanike të Home Office do të vendosen në aeroportin e Rinasit në Tiranë për të bashkëpunuar me autoritetet lokale për të luftuar  grupet e krimit të organizuar. Udhëzime të reja do të jepen për ta vendosur Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta nga ku nuk mund të kërkohet me azil, duke rritur pragun që dikush të cilësohet si viktimë e skllavërisë moderne, një garanci e dhënë sipas medias britanike, nga Shqipëria autoriteteve britanike se Tirana zyrtare do mbrojë njerëzit që vërtetë janë të rrezikuar. Ndërkohë, një njësi e dedikuar për shqiptarët do të krijohet në Home Office për të shqyrtuar me përparësi kërkesat e shqiptarëve për azil e përbërë nga më shumë se 400 specialistë.

Sa i përket kalimeve ilegale me gomone do të krijohet një komandë operacionale prej 700 vetësh edhe me oficerë nga NCA, Agjencia e Luftës Kundër Krimit, për gomonet për të penguar kalimet me to drejt brigjeve angleze.

Rishi Sunak ka deklaruar se “gjatë muajve të ardhshëm mijëra shqiptarë do të rikthehen dhe ne do të vazhdojmë fluturimet e përjavshme, derisa të gjithë shqiptarët që janë me kërkesa të pashqyrtuara të largohen nga Britania në Shqipëri”. Sunak shtoi se Kryeministri shqiptar ka thënë se “nuk ka arsye”, përse emigrantët ilegal nga Shqipëria të mos rikthehen menjëherë dhe shtoi se Britania duhet të ndjekë shembullin e vendeve të tjera në Evropë që refuzojnë kërkesat për azil.

Mbetet të shihet reagimi i grupimeve që mbrojnë të drejtat e emigrantëve në Britani ndaj këtij plani dhe nëse do të ketë ose jo sfida ligjore në institucionet e drejtësisë britanike apo më gjerë, ndaj këtij plani të Kryeministrit dhe qeverisë britanike.

Top Channel