Grupi i shtatë vendeve më të fuqishme të botës i dha dritën jeshile krijimit të atij që do të njihet tashmë si “Klubi i Klimës”, një ide kjo e hedhur nga kancelari gjerman Olaf Scholz me disa objektiva tejet ambicioze.

Scholz e kishte iniciuar këtë bashkëpunim në fillim të vitit, në krye të presidencës gjermane të G7. Me miratimin që ekonomitë më të rëndësishme të botës i bënë statutit të tij, Klubi tashmë mund të nisë nga puna.

Bëhet fjalë për një lloj marrëveshjeje tregtare shumëkombëshe që synon një transformim industrial miqësor ndaj klimës. Objektivi i marrëveshjes është të parandalojë që industritë thjesht të largohen nga një vend, kur standardet klimatike aty ngrihen.

Në të njëjtën kohë, ajo kërkon të parandalojë kompanitë në vendet që i vendosin vetes objektiva ambicioze për mbrojtjen e klimës nga konkurrenca e pandershme nga shtetet me standarde të dobëta mjedisore ose nga zhvendosja e vendeve të prodhimit në ato vende.

Shtetet që do të bëhen pjesë e këtij klubi, duhet të marrin masa për mbrojtjen e klimës, e të avancojnë vecanërisht në reduktimin e emetimeve në sektorin industrial. Kjo do të shërbejë si një “mburojë globale” për vendet më të cenueshme. Gjermania vë në dispozicion 170 milionë euro, tha Scholz në Egjipt.

Ekspertë të ndryshëm e vlerësojnë Klubin si një veprim në drejtimin e duhur, por thonë se ky duhet konsideruar vetëm si një hap i parë, dhe se mbetet ende shumë për të bërë.

Top Channel