Udhëheqësit e vendeve të G7 rikonfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur dhe solidaritetin me Ukrainën të hënën, duke u zotuar të plotësojnë nevojat e saj urgjente për pajisje ushtarake për t’u mbrojtur nga agresioni i Rusisë.

Në deklaratën e tyre,  G-7 dënoi “sulmet e vazhdueshme brutale të Rusisë ndaj infrastrukturës jetike, në veçanti rrjeteve të energjisë dhe ujit në qytetet në mbarë Ukrainën”.

Deklarata i quan këto sulme krime lufte dhe dënoi ata që “mbështesin luftën e paligjshme të Putinit”.

Qëndrimi i tyre vjen vetëm një ditë përpara takimit të G-7 në Paris me tematikë rindërtimin e Ukrainës pas luftës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori pjesë në takimin virtual.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, aktualisht edhe president i G-7, u angazhua për ringritjen e stabilitetit financiar të Ukrainës dhe e krahasoi rindërtimin e Ukrainës me Planin Marshall të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në rindërtimin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore.

Ndërkohë, forcat ruse goditën Ukrainën lindore dhe jugore  me raketa, dronë dhe artileri. Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal bëri thirrje për dërgimin e raketave Patriot dhe sistemeve të tjera të teknologjisë së lartë për mbrojtjen ajrore ndaj sulmeve të Rusisë.

Top Channel