E qëlloi policia për një faturë 20 euro, ndërron jetë 16-vjeçari në Greqi

13/12/2022 16:06

16 vjecari nga komuniteti rom, që u qëllua një javë më parë nga policia greke, ndërroi jetë këtë të martë.

Policia ndoqi adoleshentin, pasi ai iku pa paguar një faturë 20 euro të karburantit.

Të shtënat çuan në disa ditë protestash shpesh të dhunshme në Selanik, Athinë dhe pjesë të tjera të Greqisë nga anëtarët e komunitetit rom, pavarësisht përpjekjeve të zyrtarëve të komunitetit dhe disa anëtarëve të familjes së djalit për të ruajtur qetësinë.

“Është e padrejtë që një fëmijë të largohet kështu”, tha Antonis Tasios, sekretari i komunitetit rom ku jetonte adoleshenti, duke konfirmuar vdekjen e tij. “Kemi dhimbje të madhe”.

Komuniteti rom ka denoncuar të shtënat si me motive raciste. Ndërkohë oficeri i policisë që qëlloi 16-vjecarin është pezulluar dhe ndodhet në arrest shtëpiak që nga e premtja në pritje të një vendimi gjyqësor.

Oficeri tha gjatë një dëshmie në gjykatë javën e kaluar se ai kishte qëlluar me armë sepse kishte frikë për jetën e kolegëve të tij. Disa anëtarë të komunitetit rom janë plagosur ose u qëlluan për vdekje vitet e fundit gjatë konfrontimeve me policinë.

Top Channel