Bosi i kriptovalutave ‘FTX’ arrestohet në Bahamas në bazë të akuzave amerikane

13/12/2022 09:01

Sam Bankman-Fried, themelues i kompanisë për këmbimin e kriptovalutave FTX, u arrestua nga policia në Bahamas të hënën.

Ai pritet që të dalë këtë të martë, para një gjykate në kryeqytetin e këtij shteti të Karaibeve, Nasau.

Policia tha se Bankman-Fried u arrestua për “shkelje financiare” kundër ligjeve në Shtetet e Bashkuara dhe Bahamas. Muajin e kaluar FTX shpalli falimentimin në SHBA, duke e bërë të pamundur që shumë përdorues të kësaj kompanie të tërheqin fondet e tyre.

Sipas një dosjeje gjyqësore të paraqitur në gjykatë muajin e kaluar, kompania FTX u detyrohej 50 kreditorëve të saj më të mëdhenj afër 3.1 miliardë dollarë.

FTX u themelua më 2019 nga Bankman-Fried, një ish-tregtar në Wall Street, dhe ish-punonjësi i Google, Gary Ëang.

Kjo kompani u bë e dyta më e madhe në botë e këmbimit të kriptovalutave, duke tregtuar rreth 10 miliardë kriptovaluta në ditë.

Por, më 11 nëntor FTX paraqiti kërkesën për mbrojtje nga falimentimi pasi përdoruesit e kompanisë tërhoqën 6 miliardë dollarë brenda tre ditësh nga kjo platformë dhe kompania rivale, Binance, u tërhoq nga një marrëveshje që do ta shpëtonte FTX nga falimentimi.

Gjatë intervistave dhe paraqitjeve publike, Bankman-Fried ka pranuar se ka bërë gabime gjatë udhëheqjes së kompanisë, por ka tentuar që të distancojë veten nga akuzat për aktivitete kriminale.

Kolapsi i FTX erdhi në kohën kur industria e kriptovalutave ka kaluar nëpër një vit të trazuar.

Top Channel