“Turp që dobëson Evropën”/ Zemërim në Bruksel për skandalin e korrupsionit me Katarin

12/12/2022 15:52

Arrestimi dhe akuzimi i katër personave në lidhje me një hetim kundër korrupsionit, që përfshin anëtarë të Parlamentit Evropian dhe një shtet të Gjirit, që thuhet se është Katari, ka tronditur themelet e Brukselit.

Disa eurodeputetë, duke përfshirë një nga nënkryetaret e parlamentit Eva Kaili, e cila po mbahet në paraburgim, janë akuzuar se kanë pranuar shuma të mëdha parash nga Katari.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i përshkroi zhvillimet e fundit si “shumë shqetësuese” teksa mbërriti të hënën në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

“Një hetim është duke u zhvilluar dhe ne po e ndjekim atë. Këto janë akuza shumë të rënda”, tha ai. 

Edhe Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock tha se në këtë rast duhej të zbatohej “fuqia e plotë e ligjit”.

“Kjo ka të bëjë me besueshmërinë e Evropës, kështu që duhet të ketë pasoja,” tha ajo.

Qeveria greke ngriu  të hënë të gjitha pasuritë e Kailit. Politikania është pezulluar  gjithashtu nga Socialistët dhe Demokratët e Parlamentit Evropian dhe është përjashtuar nga partia e qendrës së majtë PASOK të Greqisë.

Të premten, policia belge organizoi 16 bastisje në të gjithë Brukselin. Ata  sekuestruan rreth 600 mijë euro përveç pajisje kompjuterike dhe telefonave celularë.

 

Top Channel