E vetme me katër fëmijë të mitur përdore, Anila nuk e di se ku do ta gjejë viti i ri.

E dhunuar nga i shoqi dhe me një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, në nëntor u detyrua të largohet nga shtëpia me fëmijët e moshës nga 1-5 vjeç, 2 prej të cilëve janë binjakë. E dëshpëruar kërkon një strehë që të mund të punojë.

Fillimisht u strehua në qendrën e emergjencës për gratë e dhunuara në Durrës, dhe më pas te daja i saj, në një fshat të Elbasanit, po deri kur?

Në kërkim të ndihmës, vjehrra e saj e gjen para bashkisë dhe i kërkon të kthehet në shtëpi, por ajo ka vendosur t’i japë fund një martese abuzive.

Një strehë ku të fusë kokën dhe trajtim me bonus qiraje dhe rimbursim të kopshtit e çerdhes për fëmijët e saj, që të fillojë një punë.

Këto janë kërkesat e vetme të kësaj nëne të re, që largohet nën hijen e rëndë të godinës së bashkisë me shpresën se së shpejti bashkia dhe institucionet e tjera do të reagojnë dhe do ta mbështesin të jetojë e qetë me fëmijët e saj.

Top Channel