Fëmija i parë i Elida Nurit në vitin 2000 ishte vajzë dhe ajo ndjeu presionin e familjarëve për të sjell në jetë një djalë.

“Një vajzë tjetër në familjen tonë të madhe. Nuk kishte asnjë djalë, ndaj lindja e djalit pas 5 vitesh ishte një festë shumë e madhe në të gjithë fisin. Të gjithë thoshin më në fund një trashëgimtar”, tha Elida Nuri.

Mirëpo emancipimi i shoqërisë, sërish nuk ka vrarë një nga traditat e dëmshme të shoqërisë shqiptare e më tej që në gjuhën mjekësore njihet si abort selektiv. Shtatzëni të ndërprera në mes, për shkak të gjinisë së bebit.

“Shifrat flasin për një lindshmëri 109 djem kundrejt 100 vajzave të lindura çdo vit në Shqipëri. Sot vetëm si rezultat i vrasjes së vajzave në embrion, duke e ditur që kanë qenë vajza prindërit e tyre, i mungojnë botës 140 milionë vajza. Ndërkohë që Shqipërisë nëqoftëse vazhdojmë me shifrat aktuale në një dhjetëvjeçar do i mungojnë Shqipërisë 21 mijë vajza. Ne jemi renditur të 11 në botë për sa i përket disbalancës gjinore”, u shpreh Manuela Bello-Përfaqësuese e Fondit të Kombeve të Bashkuara për popullsinë.

Me dëshirën për ti dhënë fund këtij fenomeni e për të sensibilizuar shqiptarët, organizata e kombeve të bashkuara për popullsinë organizuan në Tiranë një ekspozitë gjithëpërfshirëse me historitë e suksesshme të vajzave si dhe rrëfimet e mundshme të vajzave që nuk kanë lindur.

“Faktikisht me historitë e vajzave që mund të kishin lindur, por nuk kanë lindur, kemi dashur të themi që vret ëndrra, ambicie aspirata… duke i vendosur fjalët në gojën e tyre”, deklaroi Elsona Agolli- analiste për çështjet gjinore, UNFPA.

Top Channel