Të burgosurat përballë gjyqtarëve/ Takim mes të dënuarave, dënuesve dhe gardianëve të burgut

10/12/2022 20:01

Pas 16 viteve në burg, Liljana Mulliri nuk është në gjendje të thotë se sa është numri i grave të dënuara që priti dhe përcolli drejt lirisë.

Dhe këtë vit, si shumë të tjerë ajo shpresoi në faljen që do t’i hiqte ditët që i kanë mbetur për t’i vuajtur. Por për të tretin edhe sivjet nuk ka amnisti.

Kanë zgjedhur ditën e fundit të aktivizimit kundër dhunës dhe ditën ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut që gjyqtarët, prokurorët , gardianët dhe të dënuarat të dëgjojnë njëra tjetrën.

“Është shumë e vështirë për mua të harroj çfarë kam bërë”, tha e burgosura.

 “Nuk është e lehtë të japësh një vendim, të gjykosh përditë e të vlerësosh me prova dhe me bindje”, tha Valdete Hoxha, gjyqtare e Apelit.

Prej 18 vitesh gardiane në burg dhe në pritje të dalë në pension, Mimoza Rumano këmbëngul se gratë e burgosura dhe gratë viktima i bashkon paragjykimi.

Anila Hoxha: Zonja gjyqtare tani që jeni në burg mendoni se çdo gjyqtar dhe prokuror duhet të hyjë njëherë në burg përpara se të japë një vendim?

Edlira Petri, Gjyqtare e Apelit Tiranë: Them që po sepse duhet të vlerësojë gjendjen dhe rrethanat që e shtynë të kryejë individin krimin  e dënueshëm me ligj.

Pavarësisht se janë shpallur fajtore për krime që nga vrasjet, plagosjet, trafiku i drogës, shpërndarja e mashtrimit, dhe për këtë po vuajnë dënimin si të akuzuara , disa prej tyre janë edhe viktima.

Dhe bëhet fjalë për atë kategori që nuk u lejohet të takojnë fëmijët pasi kanë vrarë bashkëshortin apo partnerin

Zakonisht në qeli kanë përfunduar gjyqtare dhe prokurorë të arrestuar për korrupsion dhe kjo është hera e parë kur njerëzit e drejtësisë kalojnë derën e burgut për të parë se çfarë brenda mureve.

Top Channel