Gati një në pesë punonjës në mbarë botën po preket nga dhuna në punë, paralajmëron një studim i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, që sqaron se ka forma të ndryshme të këtij fenomeni.

Në një anketë të realizuar me punonjës nga shumë vende të botës, pothuajse 23 për qind prej tyre deklaruan se ishin sulmuar psikologjikisht, fizikisht ose seksualisht në vendin e punës. Vetëm gjysma e viktimave i ka treguar dikujt për këto gjëra – pra i kanë treguar grave apo burrave të tyre, nënvizohet në studimin që ky organizëm i OKB-së e përgatiti së bashku me fondacionin shkencor britanik Lloyd’s Register Foundation dhe institutin e kërkimit të opinionit Gallup.

Rreth 18 për qind e të anketuarve kanë përjetuar presione të forta, ofendime dhe kërcënime e frikësim në punë. Në vend të dytë me 8% vinte dhuna fizike me episode si rrahje apo pështyrje. Rreth gjashtë për qind raportuan sulme seksuale, duke filluar nga komentet dhe fjalët e turpshme.

Më shumë se tre nga pesë viktima raportuan se kishin përjetuar në mënyrë të përsëritur sulme dhe ngacmime të ngjashme në punë..Studimi bazohet në anketat e kryera në vitin 2021 me gati 75.000 punonjës të moshës 15 vjeç e më shumë. Hulumtimet u kryen në 121 vende dhe rajone të ndryshme të botës.  Ky konsiderohet të jetë sondazhi i parë i këtij lloji, në përmasa kaq të mëdha.

Top Channel