Pas më shumë se 1 mijë aktivitetesh, Tirana përmbyll sot në ditën e rinisë, vitin si Kryeqyteti Europian i Rinisë.

Gjatë kësaj periudhe kanë qenë të shumtë delegacionet europiane që kanë vizituar kryeqytetin shqiptar dhe të rinjtë kanë pasur mundësi të shkëmbejnë eksperienca dhe të tregojnë potencialin e tyre.

“U financuan mbi 360 projekte dhe u zhvilluan më tepër se 1 mijë aktivitet nga 8 fusha të ndryshme, si inovacioni, pjesëmarrja, kultura, shëndeti fizik dhe mendor etj. Thelbi  këtij viti ka qene energjia dhe impulsi i të rinjve”, thotë Dafina Peci.

Ceremonia përmbyllëse u zhvillua në pallatin e kongreseve, ku njëjtë si në fillim të këtij viti, u mblodhën me qindra të rinj e të reja. Por këtë herë për ti kaluar stafetën për vitin 2023 qytetit të Lublinit në Poloni.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha Tirana po mbyll një vit të rëndësishëm por ditë më të mira janë përpara.

“Sa shpejt ikën 1000 aktivitete, sa shpejt iku ky vit, por unë besoj gjithmonë se ditët më të mira në Tiranë, me çunat e gocat e mrekullueshëm, i kemi përpara.Ne duhet të punonim fort që të realizonim ëndrrën tonë, që Tirana të ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë. Ishte ëndërr për ne që një finale e UEFA-s të ndodhte në Tiranë, siç ishte ajo e Conference League. Ishte ëndërr për ne që një ditë të zgjidheshim Qyteti Europian i Sportit dhe ëndrrat kanë rëndësi sepse vetëm ëndërrimtarët ngrihen nga llumi, ngrihen nga këneta, ngrihen nga moçali, mendojnë gjërat e bukura, që duan të arrijnë, i realizojnë ato dhe kur ia mbërrijnë, janë histori suksesi, siç ishte Tirana jonë”, u shpreh Veliaj.

Po aktivitetet nuk përfundojnë me kaq, pasi për vitin 2023 Tirana është përzgjedhur si Qyteti Europian i Sportit, ku të rinjtë e jo vetëm do të fokusohen në aktivitetet sportive.

 

Top Channel