Policia gjermane ka arrestuar edhe më shumë të dyshuar në lidhje me komplotin e grushtit të shtetit.

Kreu i policisë kriminale federale të Gjermanisë, Holger Münch, tha se tani numri i të arrestuarve ka shkuar në 52, ndërsa kancelari Olaf Scholz tha se ngjarja  është një kthesë e jashtëzakonshme për vendin.

“E rëndësishme tani është se të gjithë e dinë se ne kemi një shtet që është në gjendje të rezistojë, një demokraci që është në gjendje të rezistojë, e cila mund të pengojë shkelje të tilla të ligjit dhe planifikime të tilla me përmasa të mëdha”, tha Scholz.

Pak ditë më parë hetuesit kanë zbuluar dhe shpartalluar një grup terrorist për të cilin thuhet se kishte planifikuar një grusht shteti në Gjermani.

Përgatitjet e tyre kanë zgjatur rreth një viti. Sipas Prokurorisë Federale, të arrestuarit thuhet se janë të ashtuquajtur “Shtetas të Rajhut”, të cilët nuk e njohin Republikën Federale të Gjermanisë.

Grupi planifikonte të formonte një qeveri të përkohshme që do të negocionte rendin e ri shtetëror në Gjermani me fitimtarët aleatë të Luftës së Dytë Botërore “sipas narrativës klasike të shtetasve të Rajhut”.

Nga këndvështrimi i tyre, kontakti i vetëm i rëndësishëm për këto negociata është aktualisht Federata Ruse.

Top Channel