Revista Time zgjodhi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, “Njeriun e Vitit”.

Kryeredaktori i revistës, Edward Felsenthal, tha se zgjedhja e Zelenskyt krahas “shpirtit të Ukrainës” – ishte zgjedhja e duhur.

“Pavarësisht nëse beteja për Ukrainën i jep dikujt shpresë apo frikë, bota marshoi nën ritmin e Zelenskyt më 2022”, tha ai.

Zelensky, komediani i kthyer në politikan u zgjodh president i Ukrainës në vitin 2019. Ai ka punuar pa pushim që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, për të frymëzuar rezistencën e vendit të tij dhe për të fituar mbështetje ndërkombëtare për Kievin.

Felsenthal tha se vendimi i Zelenskyt “që të mos largohej nga Kievi, por të qëndronte dhe të punonte për fitimin e mbështetjes, ishte vendimtar”.

“Për të dëshmuar se guximi mund të jetë po aq ngjitës sa frika, për drejtimin e popullit dhe për bashkimin e tyre në mbrojtje të lirisë, për përkujtimin se demokracia është e brishtë, Volodymyr Zelensky dhe shpirti i Ukrainës zgjidhen Persona të Vitit për vitit 2022”, tha ai.

Revista Time po ashtu nderoi persona që përfaqësojnë shpirtin e Ukrainës.

Këtu përfshihet inxhinieri Oleg Kutkov, i cili ndihmoi që Ukraina të vazhdonte të ishte e lidhur me botën, Olgea Rudenko, redaktore në Independent Kyiv dhe kirurgu britanik, David Nott.

Përzgjedhja e “Njeriut të Vitit” nga revista Time ka nxitur debate dhe shpesh edhe Kritika.

Në vitin 2021, “Njeriu i Vitit” u shpall Elon Musk, njeriu më i pasur në botë. Ndërsa, në 2020-ën është zgjedhur presidenti amerikan, Joe Biden, dhe nënpresidentja Kamala Harris.

Top Channel