Po planifikonin grusht shteti në Gjermani! Arrestohen 25 persona, do të sulmonin parlamentin në Reichstag

07/12/2022 09:34

25 persona kanë përfunduar në pranga në Gjermani pas dhjetëra bastisjeve anekënd vendit, nën dyshimin e një komploti për rrëzimin e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz.

Raportet në mediat e huaja tregojnë se një grup i përbërë nga figura të ekstremit të djathtë dhe ish ushtarakë po planifikonte një sulm ndaj ndërtesës së parlamentit, Rajshtagut, dhe marrjen e pushtetit.

Truri i këtij plani thuhet të ketë qenë një aristokrat, të cilit i referoheshin si princi Heinrich XIII. Prokurorët federalë thonë se 71 vjeçari, tashmë i arrestuar, është një nga dy drejtuesit e grupit. Komplotistët përfshijnë edhe anëtarë të lëvizjes ekstremiste Reichsbürger, apo Qytetarët e Rajhut, që ka qenë prej kohësh në radarin e policisë gjermane për sulme të dhunshme dhe teori raciste konspiracioni.

Ata po kështu refuzojnë ta njohin shtetin gjerman. 3000 forca policore morën pjesë në operacionin  e shtrirë në pjesë të ndryshme të vendit, gjatë të cilit u kontrolluan më shumë se 130 ambjente. Ministri i drejtësisë, Marco Buschmann, e përshkroi aksionin si “anti-terrorist”, dhe tha personat e ndaluar, dyshohet se kishin planifikuar një sulm të armatosur ndaj institucioneve të shtetit.

Sipas autoriteteve gjermane, 22 nga 25 të arrestuarit janë shtetas gjerman, ndërsa tre të tjerë, përfshirë një shtetas rus, dyshohet se ishin mbështetës të grupit ku bënin pjesë rreth 50 burra e gra, të cilët kërkonin një shtet të ri të modeluar sipas Gjermanisë së vitit 1871.

Top Channel