Një çmim tavan prej 60 dollarësh për fuçi, i cili edhe të mos bllokojë krejtësisht rrjedhën e naftës ruse drejt perëndimit duke trazuar më tej tregjet dhe çmimin e energjisë, por edhe të frenojë makinerinë ruse të luftës: ky ishte thelbi i marrëveshjes së arritur në parim nga Bashkimi Europian, që tani pret miratimin e secilit vend anëtar.

Shtetet e Bashkuara e përshëndetën menjëherë ujdinë. Sipas sekretares amerikane të thesarit, Janet Yellen, çmimi i ri tavan ndaj naftës ruse do të “ndërpresë menjëherë burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë prekur shumë nga çmimet e larta të energjisë dhe ushqimit, dhe ato do të përfitojnë ndjeshëm nga ky çmim tavan. Masa nga ana tjetër, i kufizon akoma edhe më tej të ardhurat e Vladimir Putinit dhe do të kufizojë paratë që ai përdor për të financuar pushtimin e tij brutal, ndërsa do të shmangë në të njëjtën kohë ndërprerjen e furnizimeve globale që mund të çojnë në rritjen e çmimeve të naftës në mbarë botën. Me ekonominë e Rusisë që veçse është tkurrur, çmimi tavan menjëherë do të ndërpresë burimin kryesor të të ardhurave të Putinit”- tha sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen.

Çmimi tavan, i miratuar nga aleatët perëndimorë erdhi pas disa muajsh punë. Kjo masë ndalon shtetet që të paguajnë më shumë se 60 dollarë për një fuçi për eksportet e naftës së papërpunuar ruse, që transportohet përmes detit. Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 5 dhjetor, apo edhe më herët.

Top Channel