Aplikacioni i përdorur edhe në Shqipëri, kreu i FBI-së jep alarmin: E kontrollon Kina!

03/12/2022 08:14

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur publikisht shqetësimin e tyre lidhur me një aplikacion gjerësisht të përdorur sot në pjesë të ndryshme të botës, përfshirë edhe Shqipërinë.

Drejtori i FBI-së, Chris Wray ngriti  shqetësime për sigurinë kombëtare në lidhje me platformën TikTok, duke paralajmëruar se kontrolli i aplikacionit popullor të ndarjes së videove është në duart e një qeverie kineze “që nuk ndan të njëjtat vlera me ta”.

“FBI-ja ështe e shqetësuar se kinezët kanë aftësinë të kontrollojnë algoritmin e rekomandimit të aplikacionit, i cili u lejon atyre të manipulojnë përmbajtjen, dhe nëse duan, ta përdorin atë për operacione influencimi. Kina mund të përdorë aplikacionin për të mbledhur të dhëna për përdoruesit e saj që mund të përdoren për operacione tradicionale të spiunazhit.Të gjitha këto janë në duart e një qeverie që nuk i ndan vlerat tona dhe që ka një mision i cili bie ndesh me atë që është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara. Ky duhet të përbëjë shqetësim për ne”.

Shqetësime të ngjashme, shefi i FBI-së i paraqiti edhe gjatë seancave në Kongres muajin e kaluar kur u ngrit çështja dhe gjatë një dialogu të vazhdueshëm në Uashington rreth aplikacionit.

TikTok është në pronësi të kompanisë ByteDance me bazë në Pekin. E shqetësuar për ndikimin e Kinës mbi TikTok-un, administrata Trump në vitin 2020 kërcënoi se do ta ndalonte aplikacionin brenda SHBA-së dhe i bëri presion kompanisë ByteDance për t’ia shitur platformën një kompanie amerikane.

Top Channel