Bashkë kundër dhunës/ Durrës, në komisariat vendoset instalacioni në përkujtim të viktimave

01/12/2022 15:39

Përmes artit dhe mesazheve, artistë të Durrësit janë bërë bashkë për të përkujtuar viktimat e dhunës ndaj grave dhe vajzave. 

Një instalacion, sa sensibilizues aq dhe protestues kundër dhunës ndaj gruas, është vendosur në ambientet e jashtme të komisariatit të policisë Durrës, pikërisht në një nga vendet ku kjo dhunë duhet të parandalohet.

150 gra dhe vajza të vrara nga partnerët, bashkëshortët a familjarët numërohen në 10 vitet e fundit në Shqipëri. Katër mijë urdhra mbrojtjeje të lëshuara gjatë vitit 2022 nga gjykatat.

“Dhuna ndaj gruas është një problem që na përket të gjithëve, të gjithë shoqërisë. Një kulturë parandalimi është ajo që na nevojitet sot më shumë se kurrë, që t’i mësojë brezit të ri rëndësinë e respektit dhe padrejtësitë e një sistemi patriarkal që vazhdon edhe sot”, tha aktorja Sanije Hoti.

Përmes instalacionit, dy artistët e rinj durrsakë, David Kryemadhi e Ivo Moja sjellin një qasje të re ndaj fenomenit të dhunës, për t’i thënë jo asaj dhe ndezur një qiri simbolik.

“Ideja ime ishte të pasqyroja diccka që lidhet dhe me të shenjtën. Janë shpirtra të humbur nga dhuna që është ushtruar mbi to. Është shumë e rëndë të dhunosh diçka që është aq e brishtë dhe ta vrasësh”, tha artisti Ivo Moja.

Gjatë këtij viti, në policinë e Durrësit janë bërë 400 denoncime për dhunë nga gratë të cilat kanë kërkuar ndihmë në polici. Në prokurori janë referuar 261 raste dhune, po shpesh gratë tërhiqen, ose nuk denoncojnë dhunuesit e tyre duke qëndruar në rrethin vicioz të dhunës.

“Kemi pasur shumë raste kur të dhunuarat edhe pasi kanë ardhur, nga presionet ose nga turpi që të mos ballafaqohen në gjykatë, nuk kanë pranuar t’i raportojnë dhunuesit e tyre, por policia, me iniciativë në bazë të urdhrit të përgjithshëm, i referon dhe pa kallëzim. Nuk lihen pa i referuar në gjykatë kur rastet identifikohen”, shprehet Karafil Xholi, shef i Rendit Durrës.

Përmes një “kartoline” të madhe të titulluar Rozafati, që përfaqëson qëndresën, guximin, forcën dhe dashurinë e çdo gruaje, artistët ftuan të rinjtë dhe qytetarët të lejnë mesazhet e tyre për një shoqëri më njerëzore dhe të paqtë.

“Një prej piktorëve më të mëdhenj, Kandinski thotë se e kuqja është ngjyra e shumë simboleve, e gjakut, e pasionit, e dashurisë, e agresivitetit. Është ajo që na torturon, një e kuqe e fortë, që shpesh e lidhim me gjakun. Nëse i shtojmë pak të verdhë ajo bëhet portokalli, më njerëzore. Ajo që na mungon dhe na duhet është të jemi më njerëzorë” , tha regjisorja Driada Dervishi.

Top Channel