Meksika kërkon ekstradimin e gruas amerikane të përfshirë në vrasjen e turistes në videon virale (fotot)

30/11/2022 17:30

Shanquella Robinson vdiq gjatë pushimeve të saj në Meksikë ndërsa një video është bërë virale në rrjet ku ajo shihet duke u goditur, nga një tjetër grua, në dukje amerikane.

Tashmë SHBA po merr në konsideratë kërkesën e ekstradimit nga Meksika për gruan e akuzuar se ka vrarë një tjetër amerikane siç është parë në videon virale në rrjet.

Prokurorët meksikanë të Baja California nuk kanë emëruar të dyshuarën për vrasjen e Shanquella Robinson, e cila raportohet se vdiq nga plagë në qafë dhe në shtyllën kurrizore teksa ishte me pushime në Meksikë më 29 tetor.

Vdekja e Robinson nxiti intrigë masive në rrjetet sociale pas videos ku afro-amerikania rrihej brutalisht nga një tjetër afro-amerikane.

Miqtë e Robinson thanë pas kthimit se ajo vdiq nga helmimi prej alkoolit, por në çertifikatën e vdekjes të publikuar nga rrjeti WBTV, thuhej se shkaku i vdekjes ishin “plagë të rënda në shtyllën kurrizore dhe në qafë”.

Prokurorët thanë se vdekja kishte ardhur nga “një sulm i drejtpërdrejtë dhe jo nga një aksident”  dhe se përfshinte një mike femër të viktimës.

Rrjeti CNN raportonte  se prokurorët meksikanë kanë kërkuar ekstradimin e të dyshuarës në Meksikë.

Vdekja e Robinson ka shokuar njerëzit në të dy vendet. 25 vjeçarja kishte ardhur në rezortin San Jose del Cabo më 28 tetor me shokë të universitetit, tha babai i saj për CNN.

Nëna e Robinson Salamondra Robinson, tha për rrjetin CBS News se miqtë i kishin thënë se e bija kishte vdekur nga helmimi prej alkoolit, por pas publikimit të videos këtë muaj u ngritën dyshimet se ajo kishte vdekur në duart e njerëzve me të cilët kishte ardhur atje.

Video tregon Robinson duke u goditur në kokë e duke u përplasur përtokë, ndërsa sulmuesja i thoshte: “Jepi, nuk më lufton dot?” Ndërsa një burrë që ishte prezent nuk ndërhynte në sulmin e rëndë.

Salamondra Robinson konfirmoi se në video është bija e saj dhe se burri në pamje “supozohej të ishte shoku i saj i ngushtë”.

Prokurori i Baja California Sur, Daniel de la Rosa Anaya, tha se vdekja nuk ka ardhur nga “një sherr” por nga agresioni direkt i këtij personi.

FOTO GALERI
3/3
Viktima Shanquella Robinson

Top Channel