Britania zyrtarisht ndryshon politikën e saj të para disa kohëve për kthimin mbrapsht nga kishin ardhur të gomoneve në kanalin e La Manshit, si një taktikë që “nuk jep rezultat”.

Kjo politikë ishte iniciuar nga ish-Ministrja e Brendshme britanike, Priti Patel. Kjo nënkupton se gomonet me ngarkesat e tyre në kohën që janë në ujërat e La Manshit do duhwn marrë nga rojet kufitare britanike për t’u sjellë në brigjet angleze.

Planet për ushtrimin e taktikave për rikthimin me forcë të gomoneve nga ishin nisur në momentin që ato ndodhen në ujërat e kanalit të La Manshit, janë braktisur nga Ministria e Brendshme dhe e Emigracionit, Home Office, sipas zv-ministrit britanik që mbulon Emigracionin, Robert Jenerick.

Sipas tij, analizat dëshmojnë se ekzistojnë vetëm “rrethana të kufizuara” kur mund të rikthehen gomonet me emigrantë.

Lajmi vjen në kohën kur këtë të hëne dhe dje sërish ka pasur kalime të reja me gomone, ku vetëm të hënën kanë mbërritur 426 emigrantë të rinj nga bregu tjetër i La Manshit, edhe pse Britania dhe Franca kanë nënshkruar javë më parë një marrëveshje të re me më shumë fonde britanike për frenimin e tyre.

Ne total numri i atyre që kanë kaluar ilegalisht kufirin drejt Anglisë ka mbërritur në 42 mijë e 588,  sakaq në total ka pasur gjatë këtij viti mbi 650 kalime me gomone.

Edhe pse konsiderohet si dështim një tërheqje e tillë nga qeveria britanike, pozitivja në këtë lajm qëndron në faktin se shmanget rreziku i aksidenteve nga përplasjet në det të gomoneve dhe rrezikimi i jetëve të emigrantëve.

Ndërkohë kalimet ilegale me ligj konsiderohen si vepër penale në Britani, në baze të ligjeve të kërkuara nga ish- Ministrja Priti Patel , si një masë që shpresohej se do të frenonte kalimet ilegale nga Franca drejt Anglisë. Por, sipas The Independent të Londrës, shifrat tregojnë se vetëm një fraksion i vogël i emigrantëve që kanë mbërritur janë proceduar penalisht.

Më saktë,  60 emigrantë krahasuar me mbi 42 mijë që është numri zyrtar i kalimeve me gomone nëpër La Mansh.

Zhvillimet e ditëve të fundit konfirmojnë se është më shumë faktori kohë dhe moti i patrazuar në ujërat e La Manshit ai që përcakton kalimet ose jo të gomoneve, sesa masat dhe marrëveshjet biletarale mes Anglisë dhe Francës për çështjet e kalimeve ilegale në ngushticën detare mes të dy vendeve.

Top Channel