Ministrat e Brendshëm evropianë u mblodhën me urgjencë të premten pas një mosmarrëveshjeje të ashpër midis Parisit dhe Romës mbi mënyrën e menaxhimit të fluksit të emigrantëve.

Fluksi nuk ka arritur ende nivelet e 2015 dhe 2016, por kryeqytetet evropiane janë të shqetësuara për presionin e ri në rrugët detare nga Afrika e Veriut dhe tokësore përmes Ballkanit Perëndimor.

Në fillim të këtij muaji, qeveria e re e Italisë nën udhëheqjen e Georgia Meloni refuzoi të lejonte një anije me flamur norvegjez të ankorohej me 234 emigrantë të shpëtuar nga Mesdheu.

Si pasojë anija  vazhdoi rrugën drejt Francës, ku autoritetet reaguan me tërbim ndaj qëndrimit të Romës,. Mosmarrëveshja prishi zgjidhjen e përkohshme të BE-së për problemin dhe Parisi thirri të premten takimin e jashtëzakonshëm .

Vendet jugore të BE-së, përfshirë Italinë, Spanjën dhe Greqinë, ku mbërrijnë shumica e emigrantëve, thonë se ka shumë presion mbi ta dhe shtetet e BE-së në veri nuk po i ndihmojnë sa duhet. Ndërsa pjesa më e madhe e fokusit është në mbërritjen e emigrantëve nga Mesdheu, hyrjet e paligjshme në BE përmes Ballkanit Perëndimor gjithashtu kanë ardhur në rritje prandaj pritet që Komisioni të përgatisë propozime edhe në këtë front.

Agjencia kufitare e BE-së, Frontex, thotë se rrugët e migracionit përmes Ballkanit Perëndimor kanë qenë më aktivet, me më shumë se 22,000 ndalime vetëm në tetor, gati tre herë më shumë se i njëjti muaj i vitit 2021.

Top Channel