Përmbytja dëmtoi fermerët në Shkodër! Dëmet në bujqësi më të mëdha se sa balta në shtëpi

24/11/2022 15:13

Shtëpitë e fshatit Kuç në Shkodër, prej dy ditësh kanë qenë të zaptuara nga uji.

Mbi 250 shtëpive në këtë zonë u janë dëmtuar orenditë shtëpiake, por fatkeqësia për këta banorë nuk është ndalur me kaq, pasi atyre u janë përmbytur edhe tokat bujqësore.

“Gjithsej na janë përmbytur mbi 500 ha tokë bujqësor. Ndërsa uji ka qenë prezent në 250 banesa, gjithashtu kemi pasur dhe nga ato familje të cilat i kemi larguar me gomone pasi shtëpia e tyre e tyre ka qenë e pajetueshme dhe dëmet kanë qenë të mëdha”, shprehet Pjerin Marku, kryetar i njësisë administrative, Gur i Zi.

Unë pata 12 dynym tokë të mbjella me jonxhë dhe uji ma shkatërroi, ajo tani do të kalbet, nuk ka më bujqësi“, thotë Ahmet Ahmeti, banor i fshatit.

Në shtëpinë e Ahmetit, para dy ditësh ishte e pamundur të hyje, pasi niveli i uji arrinte mbi 70 centimetra. Edhe pse sot ka mundur të hyjë, familja e Ahmetit e ka të pamundur të jetojë.

“Shiko çfarë dëmi më është bërë, ky është mundi i 20 viteve, shikoni kuzhinën, divanet krevatet. Kjo është hera e dytë që përmbytem. Familjen e kam dërguar në Shkodër tek vajza, çdo gjë këtu do të kalbet pasi uji ishte me naftë dhe fekale, kjo shtëpi nuk bëhet më”.

Edhe pse uji dhe balta nga shtëpitë e banorëve të Kuçit është larë nga zonja e shtëpisë, muret e lagura dhe mobiljet e shkatërruara do të jenë aty për të kujtuar përgjithnjë përmbytjen.

Top Channel