Dikur strehë e piratëve dhe më pas koloni e SHBA-ve, ‘Island of youth’ (Ishulli i Rinisë) në Kubë është një parajsë ku jetojnë disa prej kafshëve më të rralla të Karaibeve.
Përveç biodiversitetit të pasur, plazheve tropikale dhe bukurive të tjera natyrore, ishulli ka edhe një histori të veçantë. Gjatë ekspeditave eksploruese në Atlantik, Kristofor Kolombi, hodhi spirancën afër ishullit në vitin 1493. Asokohe, ishulli ishte i mbushur me breshka dhe qielli errësohej nga tufa të panumërta zogjsh.
E vetmja gjë që Kolombi gjeti, ishin pyjet dhe shpellat e pikturuara me vizatime parahistorike. Disa shekuj më vonë, piratët e vërtetë të Karaibeve ankoronin në brigjet e ishullit varkat e tyre të mbushura me thesare të vjedhura. Në vitet 1850, Francis Drake, Henry Morgan dhe piratë të tjerë plaçkitën një nga thesaret e Kurorës Spanjolle. Anijet, plot me gurë të çmuar, argjend dhe erëza, ndaluan në ishull, i cili për këtë shkak u quajt “Ishulli i piratëve” dhe “Ishulli i thesarit”. Sigurisht që historinë e ishullit do ta shënonin edhe ngjarjet e komunizmit.
Sot, turistët kanë mundësi të vizitojnë burgun, Presidio Modelo (tani një muze i frikshëm), ku lideri komunist i Kubës, Fidel Castro u burgos në vitin 1953, për sulmimin e kazermave të ushtrisë, një ngjarje që shkaktoi Revolucionin Kuban të vitit 1959.
Në fund të viteve ’70, Fidel Castro hapi dhjetëra universitete në ishull për studentët e huaj dhe në vitin 1978, ishulli u riemërua Isla de la Juventud (“Ishulli i rinisë”) nga Isla de Pinos (“Ishulli i pishave”).
Shkollat u mbyllën në fund të viteve ’90, por trashëgimia e tyre ruhet nga emri i ishullit. Ndryshe nga ishujt e tjerë të Kubës, “Ishulli i rinisë” është relativisht i pazhvilluar.
Disa vendas pretendojnë se ishulli është i braktisur dhe biodiversiteti i tij mund të jetë në rrezik. Megjithatë, me ndihmën e vizitorëve dhe me projekte të ndryshme, shkencëtarët kubanë po përpiqen që natyra të rimarrë veten dhe të lulëzojë në këtë peizazh të largët dhe të izoluar.
Top Channel