Një ekspozitë e veçantë i kushtohet Nënë Terezës. E gjitha me materiale arkivore, por edhe fotografi që i përkasin arkivit të Maqedonisë së Veriut dhe arkivit tonë shtetëror.

Këto të dhëna na zbulojnë fotografi, dokumente e materiale administrative të qytetit të Shkupit, jo vetëm për Nënë Terezën, por edhe familjen e saj Bojaxhiu.

Mbajtja e kësaj ekspozite përkon me 25-vjetorin e kalimit në amshim të Shenjtës Nënë Terezë, si edhe me 6-vjetorin e kanonizimit të saj në kalendarin apostolik.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike.

Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj, ku njihet edhe si dita e saj e festës.

Top Channel