Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, më 17 nëntor kundërshtoi komentin e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky se raketat që ranë në Poloni nuk ishin me origjinë ukrainase.

“Këto nuk janë dëshmitë,” u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë pasi u kthye nga një udhëtim në Azi.

Deklarata e Biden pasoi komentet e shefit të NATO-s dhe Polonisë se shpërthimi i 15 nëntorit në territorin polak ishte shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase.

“Nga informacioni që kemi ne dhe aleatët tanë, ishte një raketë S-300 e prodhuar në Bashkimin Sovjetik, një raketë e vjetër dhe nuk ka asnjë provë që është lëshuar nga pala ruse”, tha presidenti polak Andrzej Duda më 16 nëntor.

“Ka shumë të ngjarë që të jetë qëlluar nga mbrojtja kundërajrore ukrainase”, shtoi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha gjithashtu se ka të ngjarë të ketë qenë një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase e lëshuar për të rrëzuar raketat në hyrje më 15 nëntor, gjatë asaj që Kievi tha se ishte vala më intensive e sulmeve raketore të Rusisë në qytete në mbarë Ukrainën që nga fillimi i luftës në shkurt.

Megjithatë, Stoltenberg tha se Rusia, jo Ukraina, ishte fajtore për fillimin e luftës.

“Ky nuk është faji i Ukrainës. Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare pasi vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës,” u tha gazetarëve në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Unë nuk kam asnjë dyshim se nuk ishte raketa jonë,” u citua të ketë thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy më 16 nëntor.

“Unë besoj se kjo ishte një raketë ruse, bazuar në raportet tona ushtarake,” tha ai në televizionin ukrainas.

Ministria e Jashtme polake tha se një raketë e prodhuar nga Rusia ra në fshatin Przewodow, në Poloninë lindore, rreth gjashtë kilometra larg kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona më 15 nëntor, pas një dite granatimesh masive ruse të Ukrainës.

Top Channel