Ministri gjerman: Shqipëria të mos përdorë shumë pesticide, jo prodhim masiv me cmime të lira!

15/11/2022 20:35

Ministri gjerman i Bujqësisë, Cem Özdemir, ka disa këshilla për Shqipërinë sesi vendi ynë duhet ta zhvillojë më shumë bujqësinë. Në një intervistë për DW, Özdemir, i pari ministër gjerman që viziton Tiranen, theksoi në fillim të përbashkëtat mes dy vendeve në këtë fushë duke nisur nga fakti që fermerët e konsumatorët po vuajnë për fat të keq për shkak të luftës të nisur nga Rusia, kemi inflacion dhe rritje të kostos së jetesës.

Mendoj që është një mundësi e mirë të dëgjojmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri, u shpreh ai. I pyetur se çfarë reformash duhet të duhet ndërmarrë Shqipëria në sektorin e bujqësisë që t’u afrohet standardeve të BE-së në këtë sektor, ai u përgjigj mjaft hapur se jo gjithçka në BE është e përkryer dhe jo gjithçka në Shqipëri është e gabuar.

“Natyrisht që vendi duhet të adoptojë strategjitë për të cilat kemi rënë dakord në Bruksel. Por ndërkohë është gjithashtu e rëndësishme që Shqipëria të shmangë gabimet që janë bërë në Bashkimin Europian, si për shembull përdorimi i tepruar i pesticideve apo të zbatojë politika të tilla që kemi pasur për një kohë të gjatë në Gjermani si prodhimi masiv me çmime të lira. Rezultatet janë të dukshme: shumë fermerë tani duhet të mos prodhojnë më në këtë mënyrë. Është një përvojë për të dyja palët që duhet marrë në konsideratë.”– tha Cem Özdemir, ministër gjerman i bujqësisë.

Ministri shpjegoi më tej se është mjaft e rëndësishme që që brezi tjetër i atyre që punojnë në bujqësi të studiojë dhe ta marrë përsipër zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë. Duhet ta ndihmojmë këtë brez, tha ai, ta inkurajojmë, dhe  t’i japim mundësi të studiojë jashtë vendit.

Top Channel