Akullnajat në të gjithë globin, duke përfshirë ato të fundit në Afrikë do të zhduken në mënyrë të pashmangshme deri në vitin 2050 për shkak të ndryshimeve klimatike, thotë një raport i OKB-së.
Akullnajat në një të tretën e vendeve të Trashëgimisë Botërore të OKB-së do të shkrihen brenda tre dekadave, zbuloi një raport i UNESCO-s.
Rreth 18,600 akullnaja janë identifikuar në 50 vende të Trashëgimisë Botërore të OKB-së. Ato përfaqësojnë pothuajse 10% të zonës së akullnajave të Tokës dhe përfshijnë pika të njohura turistike dhe vende të shenjta për popullsinë lokale.
Zhdukja e akullnajave ishte “ndër provat më dramatike se klima e Tokës po ngrohet”, thuhet në raport.
Akullnajat e mbetura në dy të tretat e tjera të vendeve të Trashëgimisë Botërore të OKB-së mund të shpëtohen, por vetëm nëse bota kufizon ngrohjen globale në 1.5C, thonë autorët. Një raport tjetër i OKB-së javën e kaluar zbuloi se bota aktualisht nuk kishte ” një rrugëzgjidhje të besueshme ” për ta arritur këtë.
Raporti tha se humbja e akullit në vendet e Trashëgimisë Botërore mund të ketë shkaktuar deri në 4.5% të rritjes së vëzhguar të nivelit global të detit midis viteve 2000 dhe 2020. Këto akullnaja humbasin 58 miliardë tonë akull çdo vit, ekuivalente me vëllimin e përgjithshëm vjetor të ujit të përdorur nga Franca dhe Spanja së bashku.
Top Channel