Dënimit që iu bë incidenteve në veriun e Kosovës nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, iu bashkua edhe kreu i misionit diplomatik të Britanisë së Madhe atje, Nikolas Abbott.

Abboot dënoi ashpër djegien e makinave me targa  RKS, duke i cilësuar veprime të tilla akte kriminale dhe një mënyrë e gabuar për të shprehur pakënaqësinë ndaj asaj që e cilësoi “politikë legjitime të qeverisë”.

Të mërkurën policia e Kosovës tha se gjatë natës në komunën e Zubin Potokut në veri është djegur makina e një pjesëtari të komunitetit serb i cili kishte bërë zëvendësimin e targave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës. Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara dënojnë çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të makinave RKS sipas ligjit të Kosovës.

“Këto janë vepra kriminale”, shkroi ai në rrjetet sociale, por ndërkohë nenvizoi se SHBA-ja rithekson kërkesën për zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit të këtij vendimi në mënyrë që targat RKS të mund të vendosen përgjatë 12 muajve, edhe pse nënvizoi se Kosova “ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”. SHBA dhe BE-ja i kanë bërë disa herë tashmë thirrje që Prishtina ta shtyjë zbatimin e vendimit për konvertimin e targave, çështje kjo që në të kaluarën ka nxitur tensione të larta me Serbinë.

Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka urdhëruar rritjen e gatishmërisë luftarake në vend pasi disa dronë “kanë hyrë nga Kosova në territorin e Serbisë qendrore”, deklaroi ministri serb i mbrojtjes Millosh Vuçevic.

Ministri i mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, reagoi duke i mohuar raporte të tilla. “Cdo diskurs i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendjeje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”, ka shkruar ai në Facebook.

Disa media në Serbi dolen me pretendimin se dronë pa pilotë “po filmonin aktivitete në zonën e sigurisë tokësore dhe në dy kazerma” – domethënë, sipas raportimeve, fluturuan mbi Merdare dhe rrethinat e Rashkës, në kufirin me Kosovën dhe në jug të Serbisë.

Top Channel