Një qytetari serb në Zubin Potok i është djegur vetura me targat RKS rreth orës tre të mëngjesit të sotëm.

I njëjti punon taksi dhe në rrjetet sociale ka shpërndarë videon e veturës që i është djegur nga persona të panjohur. Ai shkruan se me punën e tij si taksi ka siguruar jetesën.

“Më lejoni të them menjëherë se të gjithë e dinë që automjeti është me mua për më shumë se 4 vjet. Në 3 vitet e fundit kam transportuar si shofer taksie mijëra serbë nga Serbia veriore apo qendrore në të gjitha qytetet dhe enklavat në jug të Ibrit. Ata shkuan ose për të plotësuar dokumente, shërbime sociale, për të rimarrë pronat, vizituan kisha dhe manastiret. Unë vozita njerëzit tanë dhe ushqeva familjen time. Kam vozitur RKS sepse vozis ekskluzivisht në jug të lumit Ibër.”

Ai shton se targat RKS i mbanë tash e sa kohë. “Nuk e kam riregjistruar veturën nga KM në RKS dhe as nuk e kam rrezikuar mendimin e shumicës se duhet mbajtur targa serbe. Ndoshta përmes meje dikush ka dashur t’i paralajmërojë serbët nga veriu që të mos regjistrohen përsëri, dhe është e sigurt se ata ia dolën mbanë sipas mendimit të tyre. Por kanë arritur të lënë pa bukë edhe dy fëmijë, nxënës të shkëlqyer dhe të pranuar në shoqëri”, vazhdon tutje, derisa thotë se nuk është i interesuar të zbulojë se kush i ka djegur veturën.

Që kur ka filluar Qeveria e Kosovës me vendimin për konvertimin e targa ilegale në ato të Republikës së Kosovës janë rreth 5 vetura që janë djegur.

Deri më tani janë kovertuar nga KM në RKS 23 vetura, ndërkohë që janë rreth 10 mijë vetura me targa ilegale që janë të lëshuara nga autoritetet e Serbisë e që qarkullojnë në territorin e Kosovës.

Top Channel